Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Trump premton të jetë president i të gjithë amerikanëve

Donald Trump, biznesmen miliarder, ka fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ai do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë në katër vjetët e ardhshëm.

Kandidati republikan, Donald Trump, është zgjedhur presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Ai do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë në katër vjetët e ardhshëm. Trump ka fituar 276 vota elektorale. Trump, manjat i pasurive të patundshme, pa përvojë politike, ka mposhtur rivalen demokrate, Hillary Clinton. Ai ka premtuar se do ta bëjë Amerikën “të madhe përsëri”, me krijimin e më shumë vendeve të punës dhe me uljen e taksave. Trump është zotuar se do të ngrejë mur në kufirin SHBA-Meksikë dhe se do të kufizojë hyrjen e myslimanëve në SHBA. Ai vazhdimisht e ka lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin, duke e cilësuar si “lider të madh”. Vlera neto e pasurisë së Trumpit llogaritet midis 3 miliardë dhe 3.7 miliardë dollarë.

23:31 8.11.2016

Senatori republikan nuk e votoi Trumpin

Senatori Lindsey Graham, njëri nga 17 kandidatët republikanë që kanë garuar për nominimin për president këtë vit, ka votuar për kandidatin e pavarur, Evan McMullin.

“I vlerësoj pikëpamjet e tij mbi një Amerikë të fortë dhe nevojën për të rindërtuar ushtrinë tonë”, ka shkruar Graham në Twitter.

McMullin, megjithatë, nuk pritet të paraqesë sfidë serioze për kandidatët e partive më të mëdha, republikanin Donald Trump dhe demokraten Hillary Clinton.

00:03 9.11.2016

Biden: Votojmë për brezat e ardhshëm

"Nuk votojmë vetëm për veten tonë. Votojmë për fëmijët tanë, nipërit dhe brezat e ardhshëm", ka shkruar nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në Twitter.

Biden, një kohë, është përfolur se do të kandidojë për president, por ai nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.

00:16 9.11.2016

Nis mbyllja e vendvotimeve në SHBA

Në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të mbyllen vendvotimet për zgjedhjet presidenciale.

Shtetet Indiana dhe Kentaki kanë qenë të parat që i kanë kryer votimet.

Procesi zgjedhor shpejt do të përfundojë edhe në Virxhinia, Karolinën e Veriut dhe Ohajo.

Më pas, vëzhguesit thonë se mund të ketë të dhëna fillestare për fituesin e mundshëm.

Kandidati republikan, Donald Trump, sërish ka ngritur mundësinë e mospranimit të rezultateve nëse nuk janë në favor të tij, duke thënë se ka parë raporte për parregullsi në votime.

00:59 9.11.2016

Trump dhe Clinton: Votoni!

Qendrat e votimit janë mbyllur tashmë në disa shtete amerikane, por kandidatët për president vazhdojnë t'iu bëjnë thirrje votuesve që të votojnë.

"Ka ende kohë", ka shkruar republikani Donald Trump në Twitter.

"Dita e votimeve gati po mbaron. Mos prisni, votoni tani", ka shkruar demokratja Hillary Clinton po ashtu në Twitter.

Në Floridë, njërin nga shtetet më të rëndësishme, kanë votuar rreth 70 përqind e votuesve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG