Donald Trump apo Hillary Clinton?!
Shteti më i fuqishëm në botë zgjedh sot presidentin e ri, ndikimi i të cilit do të ndjehet në gjithë globin. Donald Trump apo Hillary Clinton?!
Sondazhet i japin përparsi të ngushtë kandidates demokrate, përballë rivalit të saj republikan.
Megjithatë, amerikanët nuk vendosin drejtpërdrejt se kush prej tyre do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Është një sistem që quhet kolegji zgjedhor, i cili është krijuar qysh në vitin 1787 dhe ka fjalën e fundit.
Clinton dhe Trump janë dy nga kandidatët më të papëlqyer në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Cilido që të zgjidhet, nuk do të jetë vetëm krytar shteti, por edhe udhëheqës i qeverisë dhe komandant i ushtrisë më të madhe në planet.
Shqetësim i të gjithëve është politika e tyre e jashtme.
Gjatë kohës sa ka qenë senatore dhe Sekretare e Shtetit, Clinton ka fituar reputacionin e një lidereje agresive në politikën e jashtme.
Ajo ka mbështetur luftën e Shteteve të Bashkuara në Irak dhe ka qenë njëra nga mbështetëset më të zëshme në administratën Obama për fushatën ajrore të SHBA-së në Libi.
Clinton po ashtu ka bërë thirrje për një rol më të zgjeruar të SHBA-së në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri, përfshirë edhe vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit dhe armatosjen e rebelëve.
Trump ka kritikuar luftën në Irak dhe veprimet e tjera ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Ai ka bërë thirrje për marrëdhënie më të afërta me Rusinë e Vladimir Putinit.
Në ditët dhe javët pas zgjedhjeve – nëse vota është vendimtare – fituesi do të mbledhë kabinetin dhe do të nisë përpilimin e një agjende më të plotë politike.
Me Kushteteutën e SHBA-së, presidenti inaugurohet më 20 janar të vitit pas zgjedhjeve