Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel po kalon nëpër një periudhë e cila shënon stagnim, në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët dhe kjo po ndodh për shkak të qasjes joserioze dhe destruktive të Qeverisë së Serbisë, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tyre, ndër marrëveshjet e rëndësishme, zbatimi i të cilave ka stagnuar, janë për çështjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën, për çështjen e energjetikës, të lëvizjes së lirë dhe zhbërjes së strukturave paralele.
Në shumë raste, marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë interpretuar ndryshe nga palët në dialog, gjë që ka ndikuar edhe në zvarritjen e zbatimit të tyre.
Valon Murtezaj, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pala serbe po heziton t’i zbatojë marrëveshjet të cilat i ka nënshkruar në Bruksel dhe kjo situatë po e pengon avancimin e përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, gjë për të cilën edhe po mbahet dialogu në Bruksel.
Sipas tij, Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet ta luajë rolin e tij dhe t’ia bëjë të qartë palës serbe që pa zbatimin e marrëveshjeve ajo nuk mund të ecë përpara në rrugën e integrimeve evropiane.
“Palët serioze i interpretojnë marrëveshjet e arritura në mënyrë serioze. Pra, nuk mund të ketë mospërputhje të mëdha ndërmjet interpretimeve. Mirëpo, meqenëse në këtë rast ne nuk kemi të bëjmë me palë serioze, me Qeverinë e Serbisë, atëherë pikërisht për këtë e përmenda rolin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që t’i tregojë saktë se çka nënkupton një marrëveshje e arritur dhe të vendos afate konkrete për t’i zbatuar marrëveshjet”, theksoi Murtezaj.
Njohësi i zhvillimeve në Kosovë, Emrush Ujkani, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se moszbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun Kosovë- Serbi në Bruksel e vë në pikëpyetje gjithë procesin e dialogut, por edhe rolin e Bashkimit Evropian, si lehtësues i këtij dialogu.
“Në qoftë se këto marrëveshje nuk zbatohen ashtu siç është paraparë, do të lënë hije të keqe dhe do të vënë në pikëpyetje ecjen tutje në proceset që pritet të ndodhin, në dialogun e ardhshëm që pritet të jetë më dinamik, me disa aspekte te karakteri politik dhe më sensitiv. Gjithë ky moszbatim i këtyre marrëveshjeve do ta vështirësonte në një fazë të mëvonshme ecjen në një terren të tillë”, thotë Ujkani.
Ndryshe, ditë më parë, ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të hyjë në një fazë të re, apo siç ka thënë ajo, në fazën e tretë. Por, ajo ka theksuar se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash, nuk do të hyhet në një fazë të re të dialogut.
Mendim të ngjashëm ka edhe zëvendësministri Murtezaj. Sipas tij, është e pakuptimtë që të hapen tema të reja për tu biseduar para se të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tash.
“Ne, për këtë kemi përvojën në zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme dhe është treguar se është, në një mënyrë, mësim shkollor i shkencës së negocimit që ti duhet të zbatosh atë që ke arritur më herët, për të vazhduar në episodin e dytë të negociatave të mëvonshme. Pra, le të shpresojmë që tani do të zbatohen marrëveshjet, e pastaj të hyhet në biseda të tjera”, thotë Murtezaj.
Edhe profesor Ujkani vlerëson se pa një vlerësim të Bashkimit Evropian mbi përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, dialogu në një fazë të ardhshme do të ishte i pakuptimtë.
“Këtu duhet të bëhet vlerësim paraprak nga vet Bashkimi Evropian, që pastaj, pas këtij investimi, të shikohet se ku kemi arritur në të vërtetë dhe a ka logjikë që të shkohet tutje apo jo. Përndryshe, nëse kjo nuk ndodhë, unë nuk e shoh të rrugës që të veprohet në mënyrë të tillë që të shkohet në dialog, pa marrë parasysh se çfarë formati do të ketë ai”, thotë ai.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se edhe zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe - nga ana e Kosovës - vazhdon të mbetet peng i moszbatimit të marrëveshjeve të tjera nga ana e Serbisë. (REL)
Facebook Forum