Ndërlidhjet

Kuvendi pritet të debatojë për deklaratën ende të paharmonizuar


Seancë e Kuvendit të Kosovës
Seancë e Kuvendit të Kosovës

Propozim-Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës, adresuar Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, është një nga pikat e rendit të ditës, për të cilën pritet që deputetët e Kuvendit të Kosovës të debatojnë në seancën e rregullt plenare, që do të mbahet (sot), ditën e enjte.

Propozim-deklarata e vë theksin mbi çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, për të cilën, siç është thënë në propozim-deklaratën e panënshkruar, “subjektet politike parlamentare do të punojnë së bashku, me qëllimin e arritjes së konsensusit në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi”.

Ky zotim karshi Bashkimit Evropian do të bëhej me qëllim që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të mos jetë kusht që do ta pengonte liberalizimin e vizave për Kosovën.

Propozim deklarata nuk është nënshkruar për shkak të mungesës së konsensusit në harmonizimin e saj. Partitë në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk kanë pranuar propozimin e tri partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që deklarata ta thotë shprehimisht që Demarkacioni me Malin e Zi duhet “të rishqyrtohet” dhe jo vetëm “të shqyrtohet”.

Muharrem Nitaj, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e një konsensusi për deklaratën vazhdon edhe sot.

“Pse do të pajtoheshim ne, bie fjala, që kjo çështje të shqyrtohet, kur ajo po shqyrtohet sipas të njëjtit model, nga të njëjtit njerëz, nga të njëjtat komisione, tash e një vit. Në një situatë të tillë, nuk do të kishte fare nevojë për një deklaratë të përbashkët. Ne jemi pajtuar që të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët, e cila nuk e paragjykon rezultatin e këtij procesi. Kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme për pozitën”, theksoi Nitaj.

Pas dështimit që propozim-deklarata të nënshkruhet nga liderët e subjekteve politike parlamentare, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, u pati thënë medieve se ky propozim-deklaratë do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për tu harmonizuar.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, deputetët, grupet parlamentare janë ato që do të duhej të bënin përpjekje që ta harmonizojnë (propozim-deklaratën), pa dëshirën që të imponojë njëra palë, sepse nëse futet ajo çfarë kërkon opozita, atëherë del që kot ka qenë kjo që është thënë deri më tash”, ka thënë Beqiri.

Por, sipas Nitajt, partive opozitare u ishte thënë se Qeveria e Kosovës ishte e gatshme që ta rishqyrtojë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të parë nëse ka fakte se janë bërë gabime. Rrjedhimisht, ka thënë ai, në propozim-deklaratë është dashur të futet termi “rishqyrtim” dhe jo që të kërkohet ende një harmonizim i propozim-deklaratës në seancë parlamentare.

“Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, teksti (i propozim-deklaratës) është i harmonizuar dhe nuk ka çka të harmonizohet tutje. Nëse në atë deklaratë nuk do të qëndrojë fjala ‘rishqyrtimi i procesit të demarkacionit’, ne nuk kemi asnjë arsye që ta mashtrojmë as veten, as qeverinë e Republikës së Kosovës, as opinionin publik e as Bashkimin Evropian, sikur po bëjmë diçka dhe nuk do ta nënshkruajmë”, thotë Nitaj.

Sidoqoftë, mbetet ende e paqartë nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e ditës së enjte do t’i qasen, siç është thënë, harmonizimit të propozim-deklaratës që do t’i adresohej Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, apo që kjo çështje do të shtyhet për ndonjë nga seancat e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG