Ndërlidhjet

Buxheti i Kosovës edhe në vitin 2017 shpenzohet në asfalt


Ilustrim
Ilustrim

Autostradat dhe asfaltimi i rrugëve mbeten top prioriteti i Qeverisë së Kosovës në përcaktimin e politikave buxhetore.

Një orientim i tillë i është dhënë edhe buxhetit për vitin 2017, ku prej 2 miliardë eurosh të planifikuara, rreth 730 milionë euro do të shkojnë ne investime kapitale, apo për ndërtimin e rrugëve.

Për ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë, ky orientim i mjeteve të buxhetit të shtetit po bëhet në mënyrë jo të duhur.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet qendrore dhe ato lokale kanë probleme të mëdha sa i përket ideve të tyre për investime kapitale dhe fatkeqësisht pjesa dërrmuese e këtyre mjeteve po shpenzohet për asfalt dhe rrugë.

“Ne te gjithë pajtohemi se asfalti dhe rrugët janë të nevojshëm për qytetarët e Kosovës, por qytetarët kanë nevoja tjera e ato nevoja kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me fuqizimin e sektorit privat dhe krijimin e parakushteve për vende të reja të punës”, thekson Gashi.

Investime të shumta në infrastrukturë rrugore janë bërë në ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera.

Sipas ekspertit Naim Gashi, investimi në ndërtimin e rrugëve bëhet edhe në mungesë së ideve për projekte tjera.

“Është jashtëzakonisht zhgënjyese se si komunat e Kosovës të vetmen ide që kanë është asfalti dhe kjo për arsye se këtu mungon një kreativitet dhe një ide e tyre...një arsye se pse këto mjete shpenzohen në asfalt është edhe fakti se këto janë metoda më të lehta korruptive dhe përqindja që zakonisht marrin në ndërtimin e rrugëve”, thotë ai.

Investimet kapitale në Kosovë edhe sipas përfaqësuesve të biznesit vlerësohen si të nevojshme, por, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, investimet më të nevojshme janë në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat.

“Institucionet shtetërore të Kosovës më së lehti i orientojnë investimet në infrastrukturë rrugore, të cilat - përveç që kanë karakter ekonomik - kanë edhe karakter politik."

"Ky karakter politik është që t’i josh votuesit që të votojnë më lehtë drejt këtyre partive apo institucioneve që ju dërgojnë asfaltin te shtëpia. Por, në atë asfalt shpesh nuk kanë si të udhëtojnë vetëm nëse shëtisin në këmbë, pasi ekonomia dhe shporta ditore e qytetarit të Kosovës çdo ditë po varfërohet”, thekson Shahini.

Rritja ekonomike nga 3 deri në 4 për qind që e ka pasur Kosova në dy vitet e fundit, thekson Shahini, tregon qartë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë orientim të duhur të buxhetit të Kosovës.

“Parametri tjetër tregon se investimet po mungojnë dhe investimet rrugore nuk janë i vetmi kriter që të tërheqin investitorët. Ne kemi pasur rënie të madhe të investimeve të huaja të cilat janë të domosdoshme. Ne kemi investime dhe rritje ekonomike përmes investimeve kapitale të qeverisë dhe kjo është e nevojshme, është e mirë, por sikur kjo rritje ekonomike të bëhet edhe përmes sektorëve tjerë”, shton Shahini.

Ndryshe, përderisa buxheti për vitin e ardhshëm vlerësohet të arrijë në 2 miliardë euro, buxheti për këtë vit ka qenë 1 miliard e 680 milionë euro. Nga kjo vlerë, 463 milionë euro të buxhetit ishin paraparë të investohen në projekte kapitale. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG