Partia pro-perëndimore e Malit të Zi ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por jo edhe shumicën absoulute.
Sipas të dhënave paraprake, Partia Demokratike Socialiste e kryeministrit Millo Gjukanoviq ka fituar 35 mandate, ndërsa dy blloqet kryesore opozitare Fronti Demokratik dhe 'Kljuç' kanë fituar 18, respektivisht 9 mandate.
Lista e partive shqiptare, ndërkaq, ka fituar vetëm një mandat. Sipas përfaqësuesve politikë shqiptarë, ky është rezultati më i keq në historinë e pluralizmit.
Rezultatet zyrtare nga ana e autoritetit shtetëror zgjedhor priten në ditët në vijim.
Gjukanoviq, i cili e ka udhëhequr Malin e Zi, herë si president herë si kryeministër, për më shumë se 25 vjet, duhet të përpiqet të krijojë shumicën në një parlament thellësisht të ndarë.
Duke iu adresuar mbështetësve, Gjukanoviq tha se do të kërkojë koalicion me partitë e pakicave kombëtare: boshnjakët, kroatët dhe shqiptarët.
“Menjëherë pas shpalljes së rezultatit zyrtar, do të nisim negociatat. Ne do ta formojmë qeverinë”, tha Gjukanoviq.
Partia e tij është përballur me grupet opozitare pro-ruse dhe pro-serbe, që kundërshtojnë fuiqshëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian.
“Mali i Zi do të vazhdojë drejt së ardhmes evropiane. Do të ratifikojmë anëtarësinë në NATO dhe do të përfundojmë bisedimet për anëtarësim në BE. Do të sjellim investime të reja, do të përmirësojmë standardin e jetës”, u tha Gjukanoviq mbështetësve në Podgoricë.
Një natë para zgjedhjeve, autoritetet malazeze kanë arrestuar 20 paramilitarë serbë, të dyshuar për planifikim të sulmeve.
Prokurorët kanë thënë se grupi 'mund të ketë planifikuar rrëmbimin e Gjukanoviqit'.
Ish-komandanti i forcave speciale të Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili është larguar nga posti më 2013 për shkak të aktiviteteve të dyshuara kriminale, raportohet se është në mesin e të arrestuarve.
Udhëheqësi i partisë opozitare malazeze Fronti Demokratik, Andrija Mandiq, tha se lajmi është “propagandë bruto”.
Mali i Zi është thellësisht i ndarë midis atyre që favorizojnë dhe kundërshtojnë integrimin me Perëndimin. Pas ndarjes nga Serbia më 2006, Mali i Zi, i cili ka qenë aleat i Rusisë, është përqendruar drejt integrimit euro-atlantik.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Malit të Zi janë ftohur në mars të vitit 2014, kur Podgorica iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, për shkak të krizës në Ukrainë.
Marrëdhëniet e tyre kanë pësuar goditje tjetër kur Mali i Zi ka nënshkruar marrëveshjen për anëtarësim në NATO, në muajin maj.
Opozita malazeze vazhdimisht akuzon Gjukanoviqin për korrupsion, nepotizëm dhe keqmenaxhim ekonomik.
Facebook Forum