Prokuroria Speciale po merr në pyetje të arrestuarit nga Serbia në territorin e Malit të Zi.
Prokuroria ka bërë me dije se të arrestuarit, përveç tjerash, dyshohen se “kanë planifikuar që ta arrestojnë kryeministrin e Malit të Zi”.
“Ka dyshime të bazuara se në fillim të muajit tetor në Serbi dhe Mal të Zi është krijuar organizata kriminale, me qëllim të ndikimit në pushtetin ekzekutiv dhe atë të drejtësisë në Mal të Zi”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale, të cilën e transmeton Televizioni shtetëror i Malit të Zi.
Prokuroria thekson se ekiston “dyshimi i bazuar se organizata kishte planifikuar që në periudhën e publikimit të rezultateve të zgjehdjeve parlamentare, me përdorim të armëve, të sulmojnë qytetarët e mbledhur përpara Kuvendit të Malit të Zi dhe pjesëtarët e Drejtorisë së policisë, dhe pastaj të marrin hapësirat e Kuvendit, me qëllim të deklarimit të fitores zgjedhore të partive të caktuara politike”.
Dyshohet gjithashtu se, “plani i organizatës kriminale ishte që të arrestonte kryeministrin e Malit të Zi”, thuhet në kumtesë.
Prokuroria si organizator të grupit e ka përcaktuar B.D., për të cilin thotë se “të shtunën në orët e hershme të mëngjesit ka hyrë në Mal të Zi me qëllim të realizimit të planit criminal dhe të komandimit me personat e armatosur me qëllim të marrjes së Kuvendit të Malit të Zi dhe të institucioneve të tjera shtetërore”.
"Anëtarët e organizatës kriminale kanë marrë udhëzime që të shpërndajnë paraprakisht armët me qëllim të realizimit të mëtejmë të planit criminal”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale.
“Shtetasit serbë u arrestuan kur kanë dashur që të kontrollojnë deponë e fshehur dhe të përgatitur paraprakisht si dhe armatimin dhe municionon”, thuhet në kumtesë.
Mali i Zi: Merren në pyetje të arrestuarit nga Serbia
Në Prokurorinë Speciale ka filluar marrja në pyetje e personave nga Serbia të arrestuar në territorin e Malit të Zi.
Më heret, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanoviq, ka konfirmuar arrestimin e 20 personave nga Serbia, ndërkohë që për një tjetër policia është në kërkim me dyshimin se “në territorin e Malit të Zi kanë kryer vepër penale të krijimit të organizatës kriminale” dhe vepër penale të “terrorizmit”.
“Është e saktë se pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë, gjatë natës së kaluar, në bashkëpunim me Agjencinë për sigurinë kombëtare dhe në koordinim dhe urdhër të Prokurorisë Speciale shtetërore, duke vepruar në përputhje me shënimet operative dhe të intelegjencës të cilat i ka poseduar policia, kanë arrestuar 20 persona, shtetas të Republikës së Serbisë, ndërkohë që një person tjetër, gjithashtu shtetas i Republikës së Serbisë, është në kërkim”, thuhet në një kumtesë të policisë.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se “ata, siç dyshohet, kanë hyrë në Mal të Zi dhe kanë pasur për qëllim që fillimisht të marrin pushkë automatike dhe pastaj që sonte të kryejnë sulme në institucionet e shtetit, policinë dhe pjesëtarët e organeve shtetërore, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e lartë shtetërorë”.
“Drejtoria e policisë në lidhje me këtë zhvillim, në përputhje me procedurën, i ka dorëzuar prokurorisë informatën e planifikuar për opinion”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë së Policisë.
Dyshime për arrestim të ‘grupit paramilitar’ në Mal të Zi
Gjatë ditës, ndërkaq, një numër i mediave në Mal të Zi publikoi lajmin se, të shtunën në mbrëmje, policia malazeze ka arrestuar dhjetëra pjesëtarë të një grupi kriminal paraushtarak, që dyshohet se ka planifikuar, siç thuhet, “shkaktimin e trazirave” dhe “akte të dyshuara terroriste si dhe konflikte të armatosura”.
Informata nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së Malit të Zi dhe as nga institucionet e tjera shtetërore.
Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe kryeministri, Milo Gjukanoviq, nuk e kanë pohuar por as edhe mohuar lajmin, në deklaratat e tyre të dhëna, por kanë thënë se ‘presin që institucionet shtetërore të deklarohen publikisht’.
Sipas informatës së publikuar, por të pakonfirmuar, në krye të grupit është ish shefi i xhandarmerisë së Serbisë, Bratislav Bata Dikiq.
Gjukanoviq: Nuk pres incidente
Kryemninistri i Mali të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se për arrestimin e Bratislav Dikiqit ka po aq njohuri sa janë publikuar në media, dhe pret që zgjedhjet parlamentare të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe të rregullt.
“Kam informata të cilat i keni edhe ju, pra ato që janë publikuar në media. Në kontaktet që kam pasur me organet shtetërore kam marrë sigurimin se është në përgatitje e sipër deklarata për shtyp, me të cilën od t’i drejtohen organet shtetërore opinionit publik në një fazë përfundimtare. Pres që së shpejti të marrim informatën e plotë rreth kësaj”, tha Gjuknoviq..
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se nuk ka asnjë shënim për arrestimin e një grupi paraushtarak krininal në Mal të Zi.
Ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar se informatën për arrestimin e supozuar të një grupe krimninale paraushtarake, e ka parë në media.
“Unë e kam parë në media këtë informatë. Përvec kësaj që kam parë nuk kam informacione më shumë”, tha Stefanoviq për gazetarët në Bujanovc, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.
Stefanoviq tha se duhet pritur që prokuroria në Mal të Zi të publikojë informatën për supozimet e publikuara në media.(REL)