Gjiganti metalurgjik, Trepça, në Mitrovicë për 17 vjet ishte pa një status të zgjidhur. Por, nga 7 tetori, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtohet të rimëkëmbet dhe rivitalizohet ndërmarrja.
Gjithashtu, Ligji ia ndërron edhe pronësinë kompleksit Trepça, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tek ekzekutivi. Me këtë vendim, besohet se po hapet një epokë e re për këtë kompleks.
Për gjithë këto vjet, Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e tetëdhjeta, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq vitet e fundit, ajo e kaloi fazën e mbijetesës dhe nuk numëronte më shumë se 1400 punëtorë.
Gjiganti i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stan Tërgun me minatorë shqiptarë nuk arriti të funksionojë si duhet, për shkak të statusit të pazgjidhur dhe ndarjes, që ngjasonte edhe në vetë qytetin e Mitrovicës.
Udhëheqësit e kombinatit Trepça thonë se ishin minatorët ata, të cilët kishin punuar që ta mbanin në këmbë gjigantin gjatë këtyre viteve të pasluftës.
Drejtori i kombinatit, Ahmet Tmava, tregon për Radion Evropa e Lirë për periudhat e zhvillimit dhe funksionimit të Trepçës.
“Një nga resurset më me vlerë është posedimi i xeherores së plumb – zinkut, që ka afër 60 milionë ton rezerva. Aktiviteti minerar në funksion të eksploatimit të xeherores së plumb - zinkut në kontinuitet prodhues, eksplatues, të minierës së Stan Tërgut daton qe 86 vjet dhe ky aktivitet minerar ka krijuar te ne edhe traditë, histori dhe emocion dhe ka krijuar çdo gjë”.
“Por, Trepça, që pas luftës është në fazën e mbijetesës. Kjo mbijetesë është bërë me peripeci të shumta dhe vetëm falë angazhimit dhe punës së jashtëzakonshme të minatorëve dhe stafit në përgjithësi, ka mbijetuar deri këtu dhe aktualisht ka probleme të shumta”, thotë Tmava.
Minatorët e Trepçës janë vlerësuar shumë herë, qoftë nga politika, qoftë nga ekspertët, si “mbrojtës të vendit” edhe në kohën e turbullirave politike në ish-Jugosllavi, por edhe në periudha të pasluftës në Kosovë.
Shyqri Sadiku, inxhinier i xehetarisë, i cili punon në minierën e Stan Tërgut, që nga viti 1981, tregon për vështirësitë, të cilat i kanë pasur gjatë këtyre viteve të pasluftës.
“Prej pas luftës, në fillim kemi qenë nën menaxhimin e UNMIK-ut, pastaj AKP-së, ku nuk kemi pasur mundësi të zhvillojmë minierën. Kushtet ku kemi punuar kanë qenë jo të mira. Problemet kanë qenë të mëdha, pasi që statusi nuk ka qenë i zgjidhur. Për vitet e mëhershme në ish-Jugosllavi ka qenë gjendje e vështirë edhe kushtet për neve, por prodhimi ka qenë i madh”, tregon Sadiku.
Minatorët e kompleksit të minierave Trepça në Kosovë dhe udhëheqësit e këtij kombinati tani shprehen optimistë se me miratimin e Ligjit për Trepçën, kësaj kompanie do t’i kthehet nami që ka pasur në të kaluarën.
Borxhi i pretenduar nga kreditorë të ndryshëm, që ishte krijuar gjatë viteve të 90-ta, periudhë kjo kur ky kompleks ishte udhëhequr nga autoritetet e atëhershme serbe, po ashtu paraqet një nga sfidat, me të cilat ballafaqohet kombinati metalurgjik, Trepça.
Ish-drejtori i Trepçës, Halil Qela, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ky borxh ka ndryshuar në shifra vit pas viti, duke nisur nga disa milionë e përfunduar në miliarda euro.
“Menjëherë pas luftës na është thënë që borxhi është diku rreth 40 milionë dollarë, por vit pas viti, duke i bërë presion Trepçës, ajo vlerë është rritur në miliardë", thotë ai.
Trepça, e cila në vitin 2015 rrezikohej të shkonte në likuidim, kishte dinamizuar hapat e Qeverisë së Kosovë në atë kohë.
Duke parë këtë rrezik, Qeveria e Kosovës pati ndërmarrë hapa të shpejtë për miratimin e Ligjit për ndërmarrje publike, sipas të cilit, “Trepça” nxirret nga administrimi i AKP-së dhe shndërrohet në ndërmarrje publike të menaxhuar nga shteti.
Ky vendim, në atë kohë ishte kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat kishin kërkuar që Trepça të trajtohet me një ligj të veçantë.
Çështja e statusit të kombinatit ishte bërë edhe shkas i protestave të partive politike në opozitë në janar të vitit të kaluar, që u përshkuan me përplasje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.
Me një vendim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ishte zgjatur afati për më shumë se një vit që të bëhej riorganizimi i Trepçës, që nënkuptonte edhe miratimin e një Ligji për Trepçën nga Kuvendi i Kosovës.
Ky ligj, më 7 tetor u miratua në Kuvendin e Kosovës, përmes mospajtimeve, të ministrave të komunitet serb në Qeverinë e vendit.
Këta të fundit kanë ngrirë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës dhe i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën.
Çështja e Trepçës, çdo herë ka ngjallur reagime edhe te Beogradi zyrtar, pasi ndërmarrjen, Qeveria e Serbisë e konsideron pjesë të pasurisë së Serbisë.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas miratimit të Ligjit për Trepçën kishte thënë se “nuk e kupton veprimin e Prishtinës për Trepçën".
“Nuk e kuptoj se çka kanë arritur me këtë?! Çka dëshirojnë të fitojnë dhe të bëjnë?! Cila është ideja, që të thonë se e gjithë prona është e tyre?! - Nuk është”, kishte theksuar kryeministri serb Vuçiq.
Dilemave të ngritura nga kryeministri i Serbisë u është përgjigjur Prishtina zyrtare, Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë i ka cilësuar të pakuptimta qëndrimet e Beogradit karshi pasurisë së Kosovës.
“Ky është një vendim i pakuptimtë dhe i paefekt në Kosovë, pasi që Ligjin për Trepçën e ka nxjerr Kuvendi i Kosovës dhe është një Ligj, i cili është i barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh nëse shtrihen në pjesën jugore, perëndimore apo çfarëdo pjese të Republikës së Kosovës”, ka thënë Havolli.
Trepça, sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.
Por, një pjesë e madhe e këtyre kapaciteteve janë të degraduara, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mungesës së investimeve, e madje edhe keq-shfrytëzimit në të kaluarën.
Nisur nga i gjithë ky degradim kombinatit që i është bërë gjatë këtyre viteve të pasluftës, ekspertë të fushës, thonë se gjigantit i duhet kohë të rimëkëmbet, por se kjo mund të arrihet me një punë të madhe dhe me njerëz profesionistë.(REL)
Facebook Forum