Një projektligj, me të cilin parashihet që të riorganizohet e gjithë ndërmarrja Trepça, që aktualisht administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, është dërguar në Kuvendin e Kosovës, përmes mospajtimeve, të ministrave të komunitet serb në Qeverinë e vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar që në seancën e së premtes të nxirret për miratim në Kuvendin e Kosovës ligji i veçantë për kompleksin e minierave Trepça, me qëllim të revitalizimit dhe rikthimit në treg.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavleci, në prezantimin e projektligjit për Trepçën, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se ai do të ndihmojë rimëkëmbjen e Trepçës.
“Ky projekt ka për qëllim krijimin e infrastrukturës ligjore, e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës së investimeve, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit teknik, teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës - jetike për mirëqenien e punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik”, tha Stavlieci.
Por, autoritetet në Beograd kanë paralajmëruar pengimin e votimit të Ligjit në Kuvendin e Kosovës, të paraparë për 7 tetor, duke e parë gjigantin si pjesë të pasurisë së Serbisë.
Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, i tha Radios Evropa e Lirë se se pronari i vetëm i Kombinatit është Serbia dhe problemi i Trepcës ’pa të nuk mund të zgjidhet’
“Për udhëheqjen e Trepcës nga shqiptarët, më së miri flet gjendja e ’rëndë’ në pjesën jugore të Kombinatit. Janë veprime dhe sjellje të papranueshme të Prishtinës, dhe Beogradi gjtihsesi se do të ndërmarrë të gjitha masat të cilat i posedon që të pengojë Prishtinën në të ardhmen e cila në mënyrë brutale po provon të përvetësojë pasurinë serbe“, tha Drecun.
Gjiganti i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stan Tërgun, me minatorë shqiptarë, ka mbetur pa një status të rregulluar dhe ekspertët e përfaqësuesit e Kombinatit thonë se ai është ose para falimentimit ose me ligjin e ri do të rregullohet pronësia e tij.
Minatorët e kompleksit të minierave Trepça në Kosovë, ndërkohë, janë në pritje të miratimit të Ligjit për Trepçën.
Ramadan Arifi punon si minator në minerën e Stantërgut në Trepçë që nga viti 1982. Nga ligji për Trepçën, ai thotë se varet e ardhmja e minatorëve dhe e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Ligjin minatorët e presin me gëzim. Kjo do të thotë shumë për neve minatorët. Ligji i sjell të mira minatorëve. Ne presim që ky ligj të jetë i fuqishëm”, thotë Arifi.
Dikur, një gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta, ku punonin mbi 20 mijë punëtorë, Trepça, sot është në fazën e mbijetesës, pa një status zhvillimor dhe me jo më shumë se 1,450 punëtorë.
Minatorët e Trepçës janë vlerësuar shumë herë qoftë nga politika, qoftë nga ekspertët, si ‘mbrojtës të vendit’ edhe në kohën e turbullirave politike në ish-Jugosllavi, por edhe në periudha të pasluftës në Kosovë.
Shyqri Sadiku, kryetar i sindikatës së Trepçës shpreson që kombinatit Trepça me miratimin e ligjit do të arrijë të ribëhet një gjigant, ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën.
Po ndodhi e kundërta dhe ligji nuk arrin të kalon në Kuvend, ai thotë se ndërmarrja rrezikon të shkojë në likuidim apo falimentim.
“Nëse nuk kalon ligji, për neve është likuidim i Trepçës apo falimentim...neve na çon në humnerë të gjithëve... edhe neve si minatorë, por edhe si Kosovë”, thotë ai.
Sipas një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës është 1 nëntori i këtij viti.
Deri para kësaj date, Qeveria e Kosovës duhet të miratojë Ligjin për Trepçën, në mënyrë që ta shpëtojë nga likuidimi këtë ndërmarrje.
Likuidimi i Trepçës mund të çojë deri te shitja dhe shpërndarja e saj ndërmjet kreditorëve, shumica e të cilëve i takojnë periudhës së viteve ’90, thonë përfaqësuesit e kombinatit Trepça.
Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se miratimi i ligjit për Trepçën nuk ka alternativë. Çdo opsion tjetër, shton Tmava, është me pasojë ta parashikueshme.
“Trepça pas luftës është në një status mbijetese... pa një status zhvillimor kjo mbijetesë është bërë me peripeci të shumta. Ka probleme të shumta emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve është definimi i statusit zhvillimor”, thotë Tmava.
Pas miratimit të ligjit, thotë Tmava nga fillimi i janarit të vitit të ardhshëm hyhet në dinamika obligative të planit zhvillimor të ndërmarrjes.
Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës tani e 17 vite ka mbajtur peng ndërmarrjen Trepça, duke mos riaktivizuar resurset e saj.
“Riaktivizimi i mundshëm i Trepçës do të thotë shumë për ekonominë e Kosovës, pasi që paraqet boshtin e zhvillimit ekonomik. Përmes riaktivizimit të Trepçës ngritën kapacitete të reja prodhuese ekonomike. Sa i përket Ligjit, Trepça nuk duhet të privatizohet. Trepça duhet të jetë në mbikëqyrje të shtetit. Trepçën institucionet tona nuk guxojnë ta shqyrtojnë në Trepçën e veriut dhe jugut, ajo është e Kosovës”, thotë Limani.
Në rast të mos kalimit të ligjit për Trepçën në seancën e së premtes, minatorët thonë të kenë paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se greva e minatorëve do të jetë e pashmangshme.
Një grevë e minatorëve për çështjen e gjigantit u organizua në fillim të vitit 2015, kur u përfol për herë të parë diskutimi i një ligji për Trepçën në Kuvend, dhe kur njëkohësisht u organizuan edhe protesta në rrugë nga parti opozitare, që u shndërruan në përplasje të protestuesve me policinë. (REL)
Facebook Forum