Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Speciale, David Schwendiman, tha në një konferencë me gazetarë në Hagë, të enjten, se do të zhvillojë hetimet e tij “pa frikë dhe pa asnjë favor”.
Schwendiman tha se “është i vetëdijshëm për ndjeshmërinë politike të asaj çfarë po bën, por në punën e tij do të udhëhiqet vetëm nga faktet dhe nga ligji”
Schwendiman: Çdo gjë që thuhet për të akuzuarit e Gjykatës Speciale janë spekulime
Administratrja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon dhe kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar pranë Gjykatës Speciale, David Schwendiman, kanë sqaruar të enjten në Hagë, se Gjykata Speciale për krime lufte nuk është një gjykatë “klasike ndërkombëtare, por një dhomë e posaçme e gjykatave të Kosovës dhe çdo gjë do të bëhet në kuadër të gjyqësorit të Kosovës”.
Kryeprokurori Schwendiman, tha se “kushdo që flet në publik dhe përmend informata të mundshme të prokurorisë, nuk e thotë të vërtetën. E vërteta është ajo që ai do të përgjigjet në të ardhmen dhe ajo që do të jetë pjesë e e aktakuzës që do të publikohet ndërkohë”.
Schwendiman u zgjodh pak ditë më parë në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar pranë Gjykatës Speciale, pasi kishte kryer detyrën e prokurorit kryesor të Task-Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Evropian.
Megjithëse në konferencën e sotme në Hagë, as kryeprokurori e as administratorja nuk thanë se kur mund të priten paditë e para, besohet se kjo mund të ndodh në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Dhomat e specializuara do të trajtojnë cështjet që dalin nga raporti i Dick Martit, që u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës, e që “fajëson ish-pjesëtarë të UCK-së, për krime lufte përfshirë edhe trafikim të organeve njerëzore”.
Gjykata Speciale do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999-2000, të ngritura ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo financohet nga Bashkimi Evropian dhe vepron në përputhje me ligjet e Kosovës. (REL)
Facebook Forum