Ndërlidhjet

Hoxhaj: Dialogu, nëse nuk përfundon me njohje, është i pakuptimtë


Dialogu me Serbinë duhet të afatizohet dhe të përfundojë me njohje të dyanshme, reciproke, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Po ashtu, kryediplomati kosovar ka theksuar se pa u arritur marrëveshja për kodin telefonik të Kosovës dhe pa u zbatuar marrëveshja e sektorit të energjisë, nuk do të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në këtë intervistë, Hoxhaj rithekson se ratifikimi i Demarkacionit mbetet kushti i vetëm dhe i patejkalueshëm për liberalizimin e vizave.

Radio Evropa e Lirë: Ministër Hoxhaj, është mbase e pritshme që pas formimit të qeverisë së re në Beograd, zyrtarët në Bruksel të thërrasin takimin e ri në kuadër të vazhdimit të dialogut politik Kosovë – Serbi në Bruksel. Në çfarë formati pritni vazhdimin e këtij dialogu dhe cili besoni se do të jetë konkluzioni i tij?

Enver Hoxhaj: Dialogu do të vazhdon në formatin e njëjtë sikurse ka ndodhur deri më tani. Natyrisht që ne jemi të interesuar që në këtë fazë të ketë zbatim të marrëveshjeve të cilat janë arritur dhe një pjesë e tyre nuk janë jetësuar në realitet, por kanë mbetur vetëm në letër. Por, përtej kësaj, qëllimi ynë është që ta kemi një qasje më kreative në dialog, që t’i dimë se cilët janë parametrat e sakta të dialogut dhe cilat janë qëllimet përfundimtare të dialogut.

Në këtë drejtim qasja jonë është që dialogu duhet të afatizohet, jo vetëm në rrafshin kohor, por edhe në atë përmbajtësor dhe që duhet të përfundojë me njohje të dyanshme, reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe që nuk duhet të zgjas në pafundësi, as implementimi i marrëveshjes, por as dialogu si proces.

Natyrisht që në një dialog të tillë nuk është vetëm Kosova, nuk është vetëm Serbia, por është edhe Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit, por edhe partnerët tanë amerikan dhe partnerët e tjerë. Kështu që dinamika e dialogut varet nga një shumësi e akterëve të ndryshëm dhe nuk varet vetëm nga ajo se si e sheh Kosova. Por, ne i kemi pikëpamjet tona të qarta dhe pritjet tona janë shumë reale.

Radio Evropa e Lirë: Pikërisht në këtë çështje që thatë se duhet të përfundoj me njohje ky dialog. Në Beograd, zyrtarët e atjeshëm, së fundit edhe Ivica Daçiq ka thënë se njohja nuk është kusht. Sa mund të përfundoj me sukses një dialog që nuk ka si rezultat një traktat paqe dhe njohje reciproke?

Enver Hoxhaj: Natyrisht që dialogu i cili nuk e ka si qëllim njohjen, për neve si dialog është i pakuptimtë dhe i pa qëllimtë. Ne e kemi bërë të qartë që nga fillimi se ky dialog është normalizimin e marrëdhënieve, por normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Serbisë, do të ndodhë atëherë kur të dyja shtetet do të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe do ta njohin në mënyrë të dyanshme njëra tjetrën. Këto janë parametrat e qartë të cilat ne i kemi në një proces të tillë dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen.

Ministri serb Daçiq në të kaluarën e gjatë të tij politike ka deklaruar çfarëdo, mirëpo deklaratat e tilla i takojnë të kaluarës, ndërsa veprimet e tij politike kanë treguar që ai e pranon realitetin e Kosovës së pavarur. Ka qenë nënshkrues i marrëveshjes së Prillit në Bruksel dhe shpesh i ka ndodhur që ta mohoj vetveten dhe pikëpamjet e tij në raport me Kosovën në karrierën e tij politike në këto 20-30 vitet e fundit që nga mbështetësi i Millosheviqit e deri te një politikan i sotëm.

Radio Evropa e Lirë: Ministër Hoxhaj, kemi dëgjuar një ndërlidhje që i bëhet përparimit në zbatimin e marrëveshjeve të tërësishme teknike të Brukselit me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ku qëndrojnë arsyet, pse nuk themelohet ky trup?

Enver Hoxhaj: Qasja e Kosovës është më se e qartë por edhe publike. Pa u arritur marrëveshja sa i takon kodit telefonik të Kosovës, pa u zbatuar marrëveshja e sektorit të energjetikës, po edhe një listë e gjatë të marrëveshjeve, nuk do të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kjo për arsye se këto marrëveshje janë arritur qysh më herët dhe meqë Serbia po ndjek një qasje të stërzgjatjes së zbatimit të marrëveshjeve, apo edhe kemi raste kur një marrëveshje arrihet e më pas bën përpjekje që ta devijoj atë gjatë fazës së zbatimit apo edhe ta ri-negocioj.

Kështu që faji për moszbatim deri më tani mbetet te Serbia. Qëndrimi im si ministër i Jashtëm ka qenë i qartë, se nuk duhet dhe nuk mund të fajësohet Kosova për moszbatim përderisa adresa e moszbatimit të gjitha marrëveshjeve është Beogradi.

Ne e kemi filluar këtë dialog me një besim të mirë, në një qasje të bazuar në një mendim më afatgjatë strategjik dhe duhet ta kemi një kontekst historik sa u takon dinamikave, rezultateve dhe pritjeve të dialogut. Unë mbes në një shpresë të fortë që dialogu do ta sjellë Kosovën në atë pikë e cila do të përfundoj në njohje reciproke.

Sikurse shumë procese në të cilat ka qenë Kosova këto 20 vitet e fundit ato vazhdimisht e kanë avancuar pozitën e saj ndërkombëtare. Fillimisht si një çështje e Kosovës, mandej si një problem i Kosovës, mandej si një realitet nën administrimin ndërkombëtar deri te shpallja e pavarësisë dhe pozita ndërkombëtare që e gëzojmë sot.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund ministër Hoxhaj, si i keni parë ju zhvillimet e fundit rreth ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi që qoi në tërheqjen e Projektligjit nga kuvendi e më pas edhe në vendimet e Brukselit për shtyrjen e liberalizimit të vizave. Sa besoni që ky kriter i fundit do të plotësohet për t’u mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin pa viza nga pranvera e vitit tjetër?

Enver Hoxhaj: Procesi i përmbylljes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi fillimisht është një temë që ka të bëj me kompletimin e sovranitetit në të cilën gjendet shteti I ri. Ne në këto 8 – 9 vitet e fundit kemi pasur një proces të ndërlikuar, por edhe të suksesshëm se si kemi arritur hap pas hapi në mënyrë graduale, nga faza në fazë që ta kompletojmë sovranitetin dhe është në interes të Kosovës dhe Malit të Zi, që pas ratifikimit të kësaj marrëveshje në kuvendin e Kosovës kjo marrëveshje të regjistrohet në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara në mënyrë që kufiri i Kosovës të shndërrohet në një kufi ndërkombëtar.

Po ashtu do të regjistrohet në databazën kufijve të shteteve të Evropës. Ne e dimë që ka disa shtete përbrenda Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën si shtet. BE-ja ka një qasje të një politike të neutralitetit në raport me shtetin e Kosovës. Por ka edhe vende tjera në Evropë që nuk e njohin Kosovën, kështu që ky kufi nëse shndërrohet në një kufi ndërkombëtar në raport me shtet evropiane në sistemin ndërkombëtar përmes regjistrimit në OKB do të jetë një sukses.

Ndërsa sa i takon liberalizimit të vizave, është më se e qartë që Demarkacioni është kushti i fundit dhe i vetëm të cilin do të duhej ta plotësojë Kosova. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG