Ndërlidhjet

Mesazhet e Bidenit për korrupsionin, çështje serioze për Kosovën


Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë konferencës për media në Prishtinë, 17 gusht 2016
Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë konferencës për media në Prishtinë, 17 gusht 2016

Nënpresidenti amerikan i Shtetit, Joe Biden, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që ta luftojë korrupsionin dhe krimin ekonomik në Kosovë.

Në një konferencë për media, i shoqëruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënpresidenti amerikan Biden, ndër të tjera, tha se“për luftimin e këtyre dukurive dhe rritjen ekonomike të vendit nevojitet sundimi i ligjit” sepse “asnjë investitor nuk investon nëse e di se nuk ka sundim të ligjit dhe transparencë”.

“Nuk mund të ketë rritje ekonomike nëse ka mungesë të sundimit të ligjit. Njerëzit do të investojnë vetëm aty ku ka transparencë, vetëm aty ku ka rend dhe ligj. Korrupsioni është kancer”, ka thënë nënpresidenti amerikan Biden.

Mesazhi i nënpresidentit amerikan drejtuar zyrtareve qeveritar ështëdëshmi që në Kosovë niveli i korrupsionit dhe krimit ekonomik është në nivel të lartë. Ky shqetësim vazhdimisht është ngritur edhe nga shoqëria civile në Kosovë dhe institucionet që merren më parandalimin e këtyre dukurive.

Edhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni , disa herë ka kritikuar autoritet përgjegjëse për faktin se nuk kanë bërë aq sa duhet që shkelësit e ligjit të dalin para drejtësisë.

Duke komentuar mesazhet e nënpresidentit amerikan, Preteni thotë se ky është sinjal jo i mirë, sepse për realizimin e detyrave tona, institucionet kompetente nuk duhet të presin që të caktohen nga faktori ndërkombëtar.

Ai, megjithatë, shprehet se në parandalimin e korrupsionit ka progres , por në luftimin e kësaj dukurie ka ngecje. Preteni tregon se agjencia kundër korrupsionit i ka dërguar në prokurori rreth 1,500 emra të zyrtarëve të niveleve të ndryshme, por deri më tani, sipas tij,asnjë nga ta nuk është dënuar.

“Pjesa e luftimit po çalon, nuk po realizohen detyrat. Sepse nga gjyqësori nuk po kërkohet llogaridhënie dhe në punën e tyre nuk ka transparencë. Nuk ka llogaridhënie. Kur s’ka llogaridhënie, s’ka as rezultate, kur s’ka transparencë ka korrupsion. Këto dyja po mungojnë në Kosovë”, ka thënë Preteni për Radion Evropa e Lirë.

Nënpresidenti Biden, gjatë fjalës së tij, tha se është detyrë e qeverisë që t’i largojë zyrtarët e korruptuar dhe të dënojë kriminelët.

Mesazhet e nënpresidentit amerikan Biden duhet të dëgjohen, analizohen dhe të zbatohen nga autoritete përgjegjëse, për hir të partneritetit dhe kontributit të shtetit dhe popullit amerikan në Kosovë, thotë edhe Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës.

Ai për Radion Evropa e Lirë tha se vetë politika është e përfshirë në sistemin gjyqësor, që më pas po ndikon në mos luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.

“Është koha kur duhet të kemi një depolitizim të institucioneve gjyqësore, duhet të kemi ekspertizë shkencore dhe vetëm atëherë mund të pritet vërtet luftimi. Nuk mund të ketë luftim të korrupsionit nga të korruptuarit.”

“Prandaj, besoj se është koha kur duhet të mendojmë për reforma në administratën publike, për reformë në gjyqësi dhe vërtet ekspertiza shkencore dhe pastërtia të jenë karakteristikë bazike e atyre që do të jenë të vendosura në këto pozita”, thotë Gërxhaliu

Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, të mërkurën ka qëndruar në Prishtinë, ku ka pasur takime me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG