Në Kosovë aktualisht shkalla e foshnjave që lindin të vdekura është 8.7 promil, apo në një mijë lindje të gjalla, 8 foshnje lindin të vdekura.
Profesionistë shëndetësorë thonë se para 15 vjetësh vdekshmëria e foshnjave që vdesin në mitrën e nënës ka qenë 15.9 promil, e që nënkupton se në 1 mijë foshnje të lindura të gjalla, 15 kanë lindur të vdekura.
Ndryshe, çdo vit, 2.6 milionë foshnje në të gjithë botën vdesin pa lindur, sipas një studimi të ri global.
Syheda Latifi, koordinatore nacionale për shëndetin e nënës dhe fëmijës, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka thënë se nuk ka shkaktarë të qartë që çojnë deri në vdekjen e frytit në mitrën e nënës, derisa deklaron se ky fenomen çdo vit po shënon rënie.
“Vdekshmëria perinatale në Kosovë nënkupton tre komponentë; shkallën e vdekshmërisë fetale , pra lindjen e fryteve të vdekura me peshë trupore 500 gramë e më tepër ose me moshë të barrës 22 javë e më tepër. Ky numër i fëmijëve të lindur, të vdekur, në klinikën tonë ka shënuar rënie ndër vite. Frytet e lindura të vdekura i kemi llogaritur prej pas luftës. Në vitin 2003 ka qenë 15.9 promil, pra në 1 mijë lindje 15 fëmijë kanë lindur të vdekur.”
“Aktualisht shifra është 8.7 promil, pra gati gjysma më pak. Kjo e ul gjithashtu shkallën e vdekshmërisë perinatale në Kosovë, e që është sukses i madh. Kjo ndërlidhet me arritjen e sukseseve të stafit, me qasjen e mirë, në mbikëqyrjen e shtatzënisë, kujdesin gjatë lindjes etj”, shpjegon Latifi.
Ndërkaq Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka bërë të ditur se tashmë është punuar përmes programeve në vetëdijesimin e nënave, sidomos atyre që kanë problem me hipertension dhe diabet, e që mendohet se mund të jetë një nga shkaktarët që lindin foshnje të vdekura.
Ai shton se është punuar me profesionistë shëndetësorë që të ofrojnë kujdes para lindjes të mbështetur në dëshmi, dhe të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore për aq sa ka mundësi.
“Statistikat që posedojmë për lindjet e foshnjave të vdekura...ka një luhatje të këtij indikatori, meqë është shënuar rënie nga viti 2000 deri në vitin 2009, por ngritje e vogël është shënuar në vitin 2010 dhe më pas në vitin 2013.”
“Por, në këto 16 vitet e fundit, viti 2016 shënon uljen rekorde përkundër faktit që vdekshmërinë perinatale e kemi të rritur, por jo edhe lindjet e vdekura. Duke e pasur parasysh shkaqet e vdekshmërisë së foshnjave para lindjes, janë të paqarta shkaqet dhe sipas llogarive të OBSH-së, një e treta e tyre nuk kanë shkaktarë të qartë, derisa pjesa tjetër janë foshnje të vogla në peshë. Përmes programeve kemi bërë përpjekje që t’i adresojmë problemet e mundshme që mund të sjellin deri te vdekja e frytit ne mitrën e nënës”, thotë Uka.
Në Kosovë, për një vit lindin rreth 30 mijë foshnje. Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës çdo ditë lindin rreth 40 foshnje.
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se ulja e vdekshmërisë së foshnjave, para, pas dhe gjatë lindjes, ka ardhur si rezultat i punës dhe bashkëpunimit me Organizata të ndryshme për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, me përmirësim të infrastrukturës dhe me ngritje të kapaciteteve profesionale, përmes trajnimeve.
Merita Vuthaj, zyrtare për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, ka shtuar se vlen të përmendet trajnimi për Kujdesin Efektiv Perinatal, i cili po zhvillohet nga viti 2011 , të cilin e kanë kryer gati 90 për qind e profesionistëve shëndetësorë (gjinekologë ,mami,neonatologë dhe infermiere pediatrike).
Ndryshe, shumë studime ndërkombëtare tashmë sugjerojnë që organizata, si Kombet e Bashkuara, të përcaktojnë objektiva të sakta për investime dhe përmirësime, për të ulur numrin e vdekjeve të foshnjeve para lindjes, sidomos në vendet e varfëra. (REL)
Facebook Forum