Ndërlidhjet

Kodi telefonik, për Kosovën, problem politik


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e Kosovës thonë se edhe pas dakordimeve në kuadër të bisedimeve në Bruksel, Serbia ka bllokuar marrëveshjen për kodin telefonik të Kosovës, duke e zvarritur gjithë procesin.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë pak ditë më parë, ka thënë se Serbia është duke e bllokuar zbatimin e marrëveshjeve, e njëra prej tyre është edhe ajo për kodin telefonik shtetëror të Kosovës.

Ndërkohë, përmes një komunikate për media të lëshuar nga zyra për komunikim e Qeverisë së Kosovës,bëhet e ditur se ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka udhëtuar për në Bruksel për të marrë pjesë në raundin e ri të bisedimeve, të thirrur nga Bashkimi Evropian.

“Qëllimi i këtij takimi do jetë zhbllokimi i procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash një vit”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Ministrja Tahiri, po ashtu gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë takim me drejtoreshën për çështjet e Evropës Juglindore të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst, ku thuhet se “do kërkojë që Serbia të heq bllokadat dhe zbatojë marrëveshjet për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës”.

Ndryshe, sipas marrëveshjes, Kodin me prefiksin e ri që do të zëvendësonte atë të Serbisë, e të cilin do ta përdorte Kosova, do të duhej ta kërkonte një shtet i tretë, në këtë rast Austria. Por, i gjithë procesi ka ngecur, pikërisht për faktin e moszbatimit të marrëveshjes nga Serbia.

Kodi telefonik për Kosovën, nga ekspertë të fushës së telekomunikacionit dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, vlerësohet të jetë shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm, si në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Aktualisht në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Ekspertë të çështjeve të telekomunikacionit në Kosovë thonë se çështja e kodit telefonik është bërë një problem politik dhe i vështirë për t’u zgjidhur.

Agron Dida, ekspert i telekomunikacionit, dikur drejtor në Postë Telekomin e Kosovës, e quan absurde bllokadën që Serbia po i bën Kosovës në aspektin e çështjes së telekomunikacionit.

“Tendencat e Serbisë për të te penguar kodin telefonik të Kosovës janë absurde, janë primitive, është një mentalitet ballkanik. Serbia mendon se nëse Kosova do të ketë kodin telefonik, ata do të kenë diçka më pak. Është një koncept i ngurtë ballkanik”, thekson Dida për Radion Evropa e Lirë.

Përpjekjet e Kosovës për të pasur kodin telefonik datojnë që nga mbarimi i luftës, më 1999.

Marrëveshja fillestare për telekomin, në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte arritur qysh më 8 shtator të vitit 2013, por ajo ka qenë objekt diskutimesh edhe në takimet e radhës që pasuan në vitet 2014 e 2015 dhe që ende vazhdojnë.

Në mars të këtij viti ishte premtuar se Kosova përfundimisht do ta merr kodin e ri telefonik, por që nuk kishte ndodhur.

Sidoqoftë, çështja e kodit telefonik të Kosovës, sipas drejtorit të Qendrës për Hulumtime strategjike STRAS, Ibrahim Rexhepi, është bërë çështje e vështirë për t’u zgjidhur, për shkak të problemeve politike që ka Kosova dhe Serbia.

“Është çështje politike, pasi që marrja e këtij kodi legjitimon praninë ndërkombëtare të Kosovës në tregun e telekomunikimeve, kjo është ajo që e brengos Serbinë. Çështja tjetër nuk është se fiton shumë Serbia nga bllokimi i këtij procesi në aspektin material, pasi që Kosova shumë pak e përdor kodin e Serbisë, prandaj pengimi i kodit ka konotacion politik”, thotë Rexhepi.

Kosovës, shton Rexhepi, i duhet gjithsesi Kodi telefonik, pasi që lirohet nga detyrimeve financiare që i ka nga Sllovenia dhe Monako, pastaj shërbimet e romingutfaturohen në emër të operatorëve në Kosovë,e jo të paguhet pjesëmarrje ndaj operatorëve tjerë.

Mungesa e kodit telefonik Kosovës i ka shkaktuar humbje të mëdha. Sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida thekson se me fillimin e zbatimit të kodit telefonik, përveç tjerash, Kosova nuk do t’i kishte këto humbje.

“Kodi telefonik është i rëndësishëm, pasi që ende bisedat me telefoni klasike kanë një rëndësi, mirëpo me kohë kjo po tejkalohet duke i preferuar teknologjitë me internet, por megjithatë është e rëndësishme që Kosova të ketë kodin e vet për shkak të adresës në botë, e cila është e nevojshme në aspektin e teknologjisë”, thotë Dida. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG