Ndërlidhjet

Nuland: Të ndërmerren hapat e nevojshëm deri në vjeshtë


Victoria Nuland (majtas) dhe Hashim Thaçi (djathtas)
Victoria Nuland (majtas) dhe Hashim Thaçi (djathtas)

Në kuadër të një vizite zyrtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka qëndruar të dielën në Prishtinë, ku është takuar, veç e veç, me drejtuesit e institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës.

Në takime të ndara, Nuland është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, si dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviq.

Siç është thënë më herët në një njoftim të Departamentit Amerikan të Shtetit, qëllimi i vizitës së ndihmëssekretares Nuland në Kosovë dhe i takimit me krerët institucionalë të vendit, është diskutimi lidhur me përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për procesin e integrimeve evropiane dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në komunikatat për medie, të lëshuara nga institucionet e larta të vendit, thuhet se ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland, ua ka përcjellë udhëheqësve institucionalë të Kosovës përshëndetjet e presidentit amerikan, Barak Obama, nga Samiti i Varshavës, si dhe të zëvendëspresidentit Joe Biden.

“Ishim bashkë me presidentin Obama në Varshavë dhe presidenti ju dërgon përshëndetjet e tij, sikur edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili mirëpret përparimin në hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova në muajt në vijim”, ka thënë Nuland në takimin me presidentin Thaçi, thuhet në komunikatën për medie të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në këtë komunikatë, gjithashtu theksohet se Nuland ka përshëndetur arritjet e Kosovës, veçanërisht në luftimin e korrupsionit, porse ka theksuar nevojën që të bëhet edhe më shumë në këtë drejtim.

Ajo, gjithashtu, ka theksuar se vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit, ndërsa SHBA-të në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre.

“Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, citohet të ketë thënë Nuland, sipas komunikatës së Presidencës së Kosovës.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se presidenti Thaçi, e ka njoftuar ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Nuland, për prioritetet e tij, dhe“promovimin e dekriminalizimit të skenës politike në Kosovë”, si dhe instalimin e praktikave “që personat e dënuar apo të akuzuar, të heqin dorë nga postet dhe detyrat politike në vend”.

“Kemi iniciuar plotësimin e Kodit Penal. Deri në vjeshtë do të kemi hapa konkretë në këtë drejtim”, ka thënë presidenti Thaçi dhe ka shtuar se“nuk do të lejohet që askush t’i ikë drejtësisë”.

Në komunikatë thuhet se presidenti Thaçi, po ashtu, ka thënë se Kosova i promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përfshirë edhe Serbinë, por se të dyja palët duhet t’i z batojnë marrëveshjet e arritura deri më tash.

“Është koha për një kualitet të ri në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të sjell pajtim dhe marrëdhënie fqinjësie më të mira dhe më bashkëpunuese”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në takimin e Thaçit me Nuland është folur edhe për fushën e sigurisë dhe përkushtimin e Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Nuland është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Nëpërmjet një komunikate për medie, është thënë se Nuland ka shprehur mbështetjen e fuqishme të Qeverisë amerikane për Kosovën në ecjen e saj përpara për forcimin e sundimit të ligjit, të sistemit të drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.

Veseli ka shprehur “përkushtimin e tërësishëm në agjendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme institucionale, që kanë të bëjnë me agjendën euro-atlantike të vendit”, thuhet në komunikatën për medie të Kuvendit të Kosovës.

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland, në takimin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ka diskutuarpër zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejme të SHBA-së për Kosovën.

Në një komunikatë për medie nga zyra e kryeministrit të Kosovës, thuhet se: “kryeministri Mustafa ka folur për proceset aktuale dhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të Kosovës”.

“Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa ka theksuar se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-ja, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Po ashtu, sipas kësaj komunikate, Nuland “ka theksuar rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives euro-integruese të Kosovës”.

Nuland, gjithashtu, vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit, si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe ka inkurajuar vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit me takimet në Prishtinë, ka nisur vizitën e saj në rajonin e Ballkanit dhe gjatë ditës do të udhëtojë për në Tiranë, dhe më 11 korrik do të vazhdojë vizitat edhe në Beograd e Shkup.

Vizita e ndihmëssekretares Nuland në rajonin e Ballkanit bëhet për t’u dhënë mbështetje proceseve integruese dhe në veçanti bashkëpunimit rajonal, në kohën kur problemet e brendshme të pothuajse secilit shtet veç e veç, kanë ndikuar mbi këtë proces.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG