Në dhjetë bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, ka s’përputhje të thellë ndërmjet normave të kursimeve dhe atyre të kredive. Kjo për faktin se, siç thonë ekspertë për çështje financiare, bankat kanë mjete të mjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, dallimi i normave të kredive dhe kursimeve është 6. 5 për qind.
Vlera e kredive në institucionet financiare në Kosovë, ka arritur në mbi 2 miliardë euro, me normë mesatare të interesit 7.4 për qind. Kurse, kursimet e qytetarëve të Kosovës në këto institucione, kanë arritur në mbi 2 miliard e 600 milionë euro, me një normë të interesit prej vetëm 0.9 për qind.
Ky zhvillim në strukturën e depozitave, mund të jetë dekurajues për afatizimin e kursimeve nga qytetarët, thotë Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, njëherësh anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
“Ky hendek dallimi ndërmjet normave të larta për kredi dhe normave që i paguajnë bankat për depozita, po ndikon në mosplasimin e të gjitha depozitave (pjesës më të madhe) në sektorin real të ekonomisë. Ndërkaq, në anën tjetër kjo dallueshmëri e madhe po ndikon që bankat komerciale të kenë përfitime shumë të mëdha, sidomos në vitet e fundit”, thotë Bektashi.
Rreth 16 .8 milionë euro ka qenë profiti i bankave në Kosovë, vetëm për periudhën janar-mars të këtij viti, thonë në një përgjigje elektronike, zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës
Edhe ekspert tjetër për çështje ekonomike, Naim Gashi, konsideron se normat e depozitave nuk janë favorizuese për qytetarët dhe bizneset e vendit. Ai, madje, e konsideron të paarsyeshme uljen e kamatave për kursime, pasi niveli i kredive joperformuese është tejet i ulët.
“Normat e ulëta të interesit në depozita, tregojnë se bankat komerciale nuk po mund t’i plasojnë mjetet e tyre, për arsye se me kamatat e larta që kanë pasur për kredi, në vitet e shkuara, ka ndikuar në varfërimin e popullatës dhe në frenimin e zhvillimit të biznesit. Dhe, në këtë mënyrë tregu është ngopur me kapital dhe tashmë nuk kanë ku t’i plasojnë mjetet e tyre”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Ditë më parë, guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kreditë joperformuese janë në rënie prej 5.8 për qind, më të ulëtat në rajon.
Ndërkaq, Bektashi thotë se normat e interesit për depozita,janë ulur për shkak të trendëve botëror. Në shumë banka të vendeve perëndimore norma e interesit për depozita është negative. Por, në Kosovë, thotë ai, problemi qëndron se kamatat për kredi janë shumë të larta.
“ Normat e interesit për kredi duhet të ulen, në mënyrë që ky dallim në mes normave të interesit për kredi dhe depozita, të mos kalojë 4 deri në 5 për qind,që për të gjitha sistemet bankare është shumë i mjaftueshëm. Kjo pasi në sistemin bankar në Kosovë kemi shumë pak kredi joperformuese ose kredi të këqija”, vlerëson Bektashi.
Përveç normave të ulëta të interesit për kursime dhe normave të larta për kredi, bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, sipas ekspertëve, i kanë të shtrenjta edhe tarifat për shërbimet bankare.