Ndërlidhjet

Ivanov mbron vendimin e tij për falje – thellon krizën


Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë njëzëri ka miratuar nismën e Bashkimit Demokratik për Integrim për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit të Maqedonisë. Me vendimin e Kushtetueses është shfuqizuar vendimi për shpërbërjen e Kuvendit, duke bllokuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 5 qershor të këtij viti.

Pavarësisht vendimit të Kushtetueses maqedonase, skena politike në vend është acaruar sërish pas deklarimeve të presidentit Gjorgje Ivanov për prestigjiozen gjermane “Allgemeine Zeitung” se “nuk i shkon ndërmend ta tërheqë vendimin për falje”.

Ai ka shprehur gatishmërinë për ripërsëritjen e veprimit të tij, sepse siç ka theksuar, atmosfera e tensionuar në vend, si dhe kriza politike, janë vepër e Prokurorisë Speciale Publike.

“Ajo (prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva) zhvillon hetime selektive vetëm kundër partisë në pushtet”, ka theksuar presidenti Ivanov.

Pas vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të falur 56 persona, të cilët kryesisht janë nga pushteti, e të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale Publike për vepra të rënda penale, si: mashtrimet zgjedhore dhe përfshirje në afera korruptive, organizatat joqeveritare dhe qytetarë për çdo mbrëmje tanimë një muaj e gjysmë organizojnë protesta të quajtura “revolucioni shumëngjyrësh”.

Një muaj nga Revolucioni Shumëngjyrësh
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

​Çdo mbrëmje ata hedhin ngjyra në drejtim të institucioneve shtetërore me kërkesë që Ivanov të tërheqë vendimin për faljen e politikanëve.

Njohësit e çështjeve politike thonë se çdo zvarritje e procesit të tërheqjes së vendimit për faljen e politikanëve që hetohen nga Prokuroria Speciale për vepra penale e thellon edhe më shumë krizën në Maqedoni.

“Qëndrimi i presidentit Ivanov është i qartë, por ai nuk kontribuon në zgjidhjen e situatës politike në të cilën ndodhet vendi. Përkundrazi, me këto qëndrime edhe më shumë thellohet kriza politike, veçanërisht nëse sërish presidenti Ivanov vendos për të amnistuar edhe një valë tjetër, përkatësisht persona të tjerë që hetohen nga prokuroria speciale publike”, nënvizon Mitko Gaxhoski, njohës i çështjeve politike.

Nga ana tjetër, Mersel Billalli, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë se përmes deklaratave të presidentit të shtetit, përkundër qëndrimeve shumë qarta të Uashingtonit dhe Brukselit, diskreditohet institucioni i Presidentit, duke u shndërruar në “zë” për promovim të qëndrimeve të VMRO DPMNE-së.

Billalli thotë se presioni i faktorit ndërkombëtarë duhet të përqendrohet në heqjen e të drejtës së presidentit për falje.

“Deklaratat e presidentit, për fat të keq, janë pjesë e realitetit tonë. Andaj, nuk duhet të na habit ai me këto qëndrime. Neve duhet të na habit e kundërta, nëse dëgjojmë ndonjë qëndrim të arsyeshëm. Në rrethana të këtilla, kur është fjala për persona të papërgjegjshëm në strukturën qeveritare dhe pjesën e ekzekutivit të presidentit, tani në aspektin procedural mund të ngritët ‘impichment’ (votë e mosbesimit)”, thotë Bilalli.

Njohësit e çështjeve politike thonë se roli i presidentit të shtetit është që të mbrojë interesat e Maqedonisë si shtet dhe jo të vihet në funksion të mbrojtjes së interesave të partisë nga e cila është kandiduar për president, duke shpikur armiq inekzistent.

Kuvendi i Maqedonisë vetëm me votat e dy partive në pushtet VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, para një jave, miratoi ndryshimet në Ligjin për falje, duke i hapur rrugë presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, të tërheq vendimin e para një muaji për faljen e mbi 50 zyrtarëve të akuzuar për vepra të rënda penale.

Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, nuk ka marrë pjesë në këtë mbledhje, siç thonë, për të mos legjitimuar ligje që krijojnë hapësirë për drejtësi selektive.

Në bazë të ndryshimeve të ligjit për falje krijohen dy mundësi: e para, që presidenti vet të tërheqë vendimin për individët e falur, dhe e dyta, personat e amnistuar të kërkojnë nga presidenti i shtetit anulimin e vendimit për faljen e tyre. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG