Industria e rëndë, e cila në të kaluarën ka qenë shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës, nuk po arrin të funksionalizohet në tërësi dhe të vihet në shërbim të ekonomisë së vendit, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë.
“Trepça”, fabrika e çimentos “Sharrcem”, “Ferronikeli”, fabrika e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri, “Fabrika e Tubave”, Industria e gomës “Ballkani”, janë vetëm disa nga kompanitë, të cilat kanë hyrë në kategorinë e industrisë së rëndë, e të cilat në të kaluarën kanë pasur një ndikim të madh në bruto produktin vendor të Kosovës.
Disa prej këtyre ndërmarrjeve janë privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që në fazat e para të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, por që më pas nuk kanë arritur të tregohen të suksesshme në afarizmin e tyre.
Së fundmi, kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” ka shpallur ndërprerje të planifikuar të prodhimit, për shkak të problemeve teknike dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të nikelit në tregun e metaleve.
Ndërkaq, për ndërmarrjen “Trepça” ende është duke u punuar në hartimin e një projektligji, i cili do ta shndërrojë këtë ndërmarrje në pronë të Qeverisë së Kosovës.
Sipas një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës është 1 nëntori i këtij viti.
Kombinati “Trepça” aktualisht është nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë thekson se nuk po arrihet të shfrytëzohet potenciali i këtyre ndërmarrjeve, siç ka qenë në të kaluarën.
“Për shkak të mungesës së investimeve në teknologjinë e re për vite të tëra, (investime këto të cilat janë të shtrenjta), teknologjia e vjetëruar që ata përdorin nuk u lejon që të arrijnë një shkallë më të lartë të produktivitetit dhe kapaciteteve të tyre. Pra, ka pasur një mungesë të investimeve dhe rrjedhimisht këto ndërmarrjeve e kanë të pamundur që të kryejnë rolin që e kanë pasur dikur në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”, thekson Zeka.
Kosova thuhet se duhet t’i ndryshojë politikat fiskale për këtë sektor, si dhe të krijojë lehtësi në lirimin taksave për produktet që përdoren si lëndë e parë tek industria e rëndë.
Po ashtu, Zeka shton se Kosova duhet të krijojë politika që bëjnë tërheqje të investimeve të mëdha për industrinë e rëndë.
“Të marrim shembullin e kompleksit metalurgjik Trepça, e cila përballet me vështirësi të jashtëzakonshme, kjo për shkak të mungesës së investimeve në këtë ndërmarrje, e cila në të kaluarën ka qenë shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit. Ringjallja e Trepçës nuk mund të ndodhë nëse presim vetëm investime që burim kanë buxhetin e shtetit. Është e nevojshme që të shikohen mundësitë e përfshirjes së kapitalit privat”, thotë Zeka.
Edhe njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovë konsiderojnë se rifunksionalizimi i disa prej këtyre ndërmarrjeve nuk mund të arrihet të bëhet nëse nuk privatizohen.
Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se Kosova nuk po arrin që t’i vë në lëvizje disa nga këto ndërmarrje të industrisë së rëndë.
Sipas tij, me këtë afarizëm çfarë janë duke bërë aktualisht disa nga këto ndërmarrje, nuk mund të arrihet që të ndikojnë në rritjen ekonomike të Kosovës.
“Resurset e Kosovës, në situatën e re, kanë një vlerë tjetër krahasuar me të kaluarën. Disa nga këta sektorë duhet të privatizohet. Duhen investime të mëdha që shteti nuk mund t’i bëjë , kjo mbetet tërësisht detyrë e sektorit privat, detyrë e investimeve private. Kosova është në kërkim të një industrie që fatin e lidh në investimet private”, thekson Sadiku.
Sidoqoftë, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se fuqizimi i industrisë së rëndë do të ishte shtylla më e madhe e përmirësimit të indikatorit kyç të gjenerimit të zhvillimit ekonomik.
Ndryshe, vite më parë, për të ndihmuar sektorin e industrisë së rëndë, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës patën krijuar Komitetin e përbashkët të industrive të rënda.
Qëllimi kryesor i këtij Komiteti ishte që ky sektor të bëhet më konkurrues dhe më produktiv në zhvillimin ekonomik të vendit. (REL)
Facebook Forum