Zbardhja e fatit të personave të pagjeturve, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht që trajtohet si çështje humane, megjithatë vazhdon të jetë një çështje që mbahet peng nga politika, vlerësojnë zyrtarët e institucioneve të Kosovës përgjegjës për këtë çështje, por edhe përfaqësuesit e familjarëve të këtyre personave.
Sipas tyre, ndonëse gjatë vitit 2014 dhe 2015 ishte shënuar një dinamikë në hulumtimin e varrezave të mundshme masive dhe punimin në to, tashmë, gjatë këtij viti, është e dukshme që punimet e tilla kanë stagnuar.
Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pavarësisht kërkesave që ka pala nga Kosova për hulumtime në disa lokacione të dyshuara për varreza masive në Serbi, aktualisht pala serbe është duke u punuar vetëm në një lokacion, në Krizhevac të Rashkës.
Punimet në këtë lokacion, siç thotë ai, kanë nisur në bazë të informatave që ka siguruar Prokuroria serbe për krime lufte, por edhe pas hulumtimeve për ma shumë se 10 javë, nuk ka pasur gjetje.
Ky hulumtim, siç thotë ai, ka bllokuar punën për hulumtimin në dy lokacione në Kosovë, por edhe në dy lokacione tjera në Serbi, në Rudnicë të Rashkës dhe në Kozarevë të Novi Pazarit, për të cilat sipas Gjetajt ekzistojnë informacione të bazuara për varreza masive.
“Jemi në përgatitje të prezantimit të dëshmisë, me prezencën e dëshmitarit në vendin e ngjarjes në prezencë të dyja palëve. Ky akt mbase do t’i detyrojë që ta fusin në plan të veprimit (lokacionin në Kozarevë të Novi Pazarit). Ndërsa, në Rudnicë, vendi i quajtur Jalovishte. Edhe pse në momentin kur e kemi bërë kërkesën për Rudnicë ka qenë dhe Jalovishta e iniciuar, edhe liqeni afër Rudnicës, por kurrë nuk është futur në plan të veprimi, me arsyetim të tyre se nuk është specifikuar pika më e përafërt”.
Gjetaj ka shtuar se vetë faktin që mbi 10 javë po punohet në lokacionin në Krizhevac dhe nuk ka asnjë shenjë për gjetje të mundshme dhe nuk i fut në plan të veprimit lokacionet e sugjeruara nga pala e Kosovës, i shton dyshimet se pala serbe, siç thoit ai, po bën lojë, për ta futur në qorrsokak zbardhjen e fatit të pagjeturve.
Por, Bajram Çerkini, drejtues i Këshillit Koordinues të Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, vlerëson se me çështjen e të pagjeturve “janë duke bërë lojë” të dyja palët, të Kosovës dhe të Serbisë.
“Merreni me mend, tash maji po kalon dhe vetëm dy lokacione i kanë kontrolluar dhe asgjë më shumë. Sivjet, edhe pse bëhet shumë fjalë dhe edhe pse plani operativ parasheh shumë gjera të bëhen, asgjë nuk kanë bërë. Ende po luajnë, si në Serbi ashtu edhe këtu brenda në Kosovë. Janë duke luajtur me këtë dhimbje, me këtë ankth dhe me familjarët”.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mars të këtij viti pati deklaruar që “ zbardhja e fatit të personave të pagjetur” do të jetë një nga pesë prioritetet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2016.
Gjetaj thekson se autoritetet e larta të Kosovës edhe më parë kanë theksuar se do të kërkohet nga Bashkimi Evropian që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur të shtrohet si temë në Bruksel.
“Por, siç duket, bashkësia ndërkombëtare e ka lënë këtë çështje si ‘të natyrës humane’ dhe ndërmjetësohet nga Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq. Me këtë përgjigje kemi qenë vazhdimisht të pakënaqur, sepse mendojmë që çështja e të zhdukurve do të jetë një qelës i hapave të mëtutjeshëm për normalizimin apo edhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”.
Çerkini shpreh bindjen se pa një vullnet të fuqishëm politik, çështja e të pagjeturve nuk di të zgjidhet.
“Nuk mundet ana humanitare ta kryej këtë punë. Janë krerët e nxehtë në politikë. Kanë më të mëdha dhe sa i përket familjarëve, nuk e kanë shumë dertin e tyre, ndonëse thonë se është çështje me prioritet. Janë të gjitha kamuflazh për neve familjarëve dhe mundohen të na pajtojnë me një realitet të rrejshëm”.
Sipas statistikave zyrtare, në Kosovë ende vazhdojnë të figurojnë 1 mijë e 665 persona të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në këtë numër, janë të përfshirë personat e të gjitha përkatësive etnike, por përqindja më e madhe është e personave me përkatësi etnike shqiptare.