Ndërlidhjet

Shuhet ueb-faqja që përhapte propagandën e IS-it


Pamje nga një video propagandistike e IS-it.
Pamje nga një video propagandistike e IS-it.

Ueb-faqja në Bosnje “Lajmet e Ummah”, e cila ka përhapur propagandë të grupit militant Shteti Islamik (IS), është shuar edhe në formën e blogut, pasi puna e saj është ndaluar në gusht të vitit të kaluar.

Pas disa përpjekjeve shumëvjeçare për të zbuluar burimet, përmes të cilave ka mbijetuar, blogu është mbyllur për shkak të, siç është thënë, “shkeljeve të kushteve të shërbimit” në domenin WordPress.

Përmes ueb-faqes “Lajmet e Ummah” është madhëruar ideologjia e Shtetit Islamik, është përhapur urrejte ndaj “të pafeve”, ndërsa sulmet terroriste, si ato në Paris dhe Bruksel, janë cilësuar si “lajme të mira”.

Përmes saj janë përcjellë edhe kërcënime për qytetarët e Ballkanit dhe janë bërë thirrje për sulme terroriste.

“Vendosni eksplozivë nën makinat dhe shtëpitë e tyre (të pafeve). Merrni helm dhe hidheni në ushqimet dhe pijet e tyre. Vrisni kudo dhe kurdo që arrini”, ka qenë porosia e përcjellë përmes një videoje.

Gjaku do të rrjedhë në Evropë, e sidomos në Bosnje”, kanë paralajmëruar militantët e dyshuar.

Bosnja dhe Hercegovina, pavarësisht raporteve të shumta se përmes kësaj ueb-faqeje përhapet urrejtje dhe propagandë terroriste, nuk ka arritur të trajtojë kërcënimet dhe të mbyllë portalin. Ministri për Siguri i Bosnjës, Dragan Mektiq, ka thënë se nuk ka kapacitete që do të zbulonin se kush qëndron prapa këtyre kërcënimeve.

“Kur në ueb-faqen ‘Lajmet e Ummah” është paralajmëruar se do të rrjedhë gjak etj., nuk kemi mundur të identifikojmë (se kush qëndron prapa) sepse nuk kemi kapacitet në kuptimin teknik”, ka thënë Mektiq.

Por, profesori i kriminologjisë në Universitetin e Sarajevës, Goran Kovaçeviq, thotë se nuk bëhet fjalë për posedim kapacitetesh, por për vullnet politik.

“Nuk është në pyetje profesionalizmi, por politika. Nuk është e mundur që nuk ka kapacitete të mos mbyllet një portal, sepse është shumë e thjeshtë. Fakti që përmes telekomit ose cilitdo ofrues të internetit mund të bllokohet qasja në domen, tregon se është shumë e thjeshtë dhe nuk kërkon mjete financiare. Por, nuk ka pasur vullnet të arrihet deri tek ata njerëz, sepse neve na konvenojnë rreziqet e tilla të sigurisë, si terrorizmi kibernetik dhe terrorizmi, për faktin se ato tërheqin vëmendjen nga problemet e mëdha ekonomike dhe shoqërore”, thotë Kovaçeviq.

Domeni i ueb-faqes “Lajmet e Ummah” ka qenë i regjistruar në disa lokacione, nga Zvicra, Arabia Saudite e deri në Shtetet e Bashkuara dhe, në disa raste, është raportuar tek autoritetet për përhapje të urrejtjes.

Vetëm pas ekzekutimit të shtetasit kroat, Tomisllav Sallopek, nga Shteti Islamik, në muajin gusht, ueb-faqja është bllokuar me, siç është thënë, ndihmën e shërbimeve të inteligjencës kroate.

“Puna që është bërë në ueb-faqen ‘Lajmet e Ummah’ nuk do të ndalojë, por me ndihmën e Allahut, do të vazhdojë në këtë faqe, derisa të mos i kthejmë ‘Lajmet e Ummah’”, kishin paralajmëruar militantët e dyshuar në blogun e aktivizuar përmes domenit WordPress.

Se kush ka qëndruar prapa portalit, nuk është zbuluar ende. Domeni që ka qenë i resgjistruar në Arabinë Saudite, ka qenë në emër të Abdullah Abdulrahmanit, për të cilin nuk ka të dhëna, ndërsa supozohet se selia e portalit ka qenë në Sanxhak.

Edhe pse më herët janë mbyllur llogaritë e këtij grupi në Twitter dhe Facebook, kanali i tij në YouTube, me tregime për “fuqinë e Shtetit Islamik”, vazhdon të jetë aktiv. (v.tela)

XS
SM
MD
LG