Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, rreth 60 për qind e të punësuarve janë infermierë. Por, përkundër kësaj përqindje, më 12 maj kur edhe shënohet Dita Ndërkombëtare e Infermierisë, u ritheksua se ka mungesë të stafit të infermierisë në Kosovë.
Lirie Beqiri, drejtoreshë e infermierisë në këtë institucione ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë të stafit në këtë institucion, duke shtuar se janë gjithsej 1833 infermierë, të cilët punojnë për 2099 shtretër, sa edhe i ka Qendra Klinike.
“Infermieret ndahen me punë në mami, infermiere pediatrie, instrumentare, teknike anestezioni, laborant, teknik rentgeni, teknik farmacie si dhe kardiokirurgjia e të tjera. Është numri i vogël në raport me kërkesat. Ne edhe vitin e kaluar kemi kërkuar rritje të stafit, ku kërkesa jonë ka qenë se na duhen edhe rreth 300 infermierë më shumë”, ka thënë Beqiri.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Kadir Hyseini, ka deklaruar se meqë mjekësia është një sektor specifik dhe pa punë ekipore, mjekë – infermierë, nuk do të mund të funksiononin shërbimet cilësore, duhet të shtohet stafi. Por, që nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse kjo do të ndodhë ose jo.
“Ne si ministri jemi të kënaqur me stafin e infermierisë. Tash janë hapur edhe shkolla për infermierë. Tashmë janë 3 kolegje private dhe një shtetërore e që mendoj se mjaftojnë. Tashmë mjekësia po shkon duke u specifikuar dhe mendoj se Kosova gjithmonë ka nevojë për më shumë infermierë, pasi që ata janë edhe boshti kurrizor i sistemit shëndetësor”, ka theksuar Hyseini.
Ndryshe, vetëm në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë , gjatë vitit 2015 janë kryer 1 milion e 200 mijë vizita.
Pacientët thonë se me trajtimin që iu bëhet, sidomos nga infermierët, janë mjaft të kënaqur. Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Fehmi Sopi, rreth 60 vjeç, i cili për shkak të problemeve shëndetësore bën vizita të shpeshta mjekësore.
“Mirë na presin, mirë trajtohemi. Unë i vizitoj shpesh, pasi kam probleme shëndetësore. Sa i përket trajtimit në përgjithësi nga stafi shëndetësor nuk kam ankesa”, ka thënë ai.
Arben Vitia, drejtor i shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në Kuvendin Komunal të Prishtinës thotë se vetëm në Komunën e Prishtinës, për një vit bëhen rreth 1 milion e 200 mijë vizita mjekësore. Kjo, sipas tij, flet që gjithmonë ka vend për punësim të infermierëve të rinj.
“Ne si Komunë e Prishtinës, kemi një numër të caktuar të punëtorëve shëndetësorë që na lejohet t’i punësojmë. Por, Prishtina është rritur shumë vitet e fundit. Në vitin 2015 ka pasur 1 milion e 200 mijë vizita. Dhe moslejimi i rritjes së numrit të stafit në përgjithësi, sigurisht se sjell vështirësi meqë stafi përballet me vështirësi, sidomos në kohën kur ka epidemi virale dhe fluksi rritet”, ka thënë Vitia.
“Ne po mundohemi që të bindim nivelin qendror që ka nevojë për më shumë staf. Gjithashtu edhe nga Komuna e Podujevës , Fushë Kosovës, Obiliqit e të tjera, i kryejnë vizitat në Qendra të Mjekësisë në Prishtinë”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, Myrvete Sopi-Dibrani, kryeinfermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare thotë se puna e infermieres është një pasion dhe profesion human.
“Ne punojmë me aq sa mundemi që të ofrojmë shërbime cilësore shëndetësore, dhe sa i përket institucioneve kemi mbështetje të mjaftueshme. Ne punojmë edhe në edukimin e vazhdueshëm të infermierisë, ngritjen profesionale dhe mendoj se infermieria ka arritur shumë, pasi që tash kemi edhe infermierë me kualifikim ‘master’ si dhe me doktoraturë. Ne si QKMF, kemi kënaqësinë qe kemi kuadro të tilla infermierore", tha Sopi-Dibrani.
Sidoqoftë, kuadri specialistik mjekësor në Kosovë, jo rrallë ka treguar interesim për punësim në vende të ndryshme të botës, ku pagesat janë shumë më të mira. Edhe infermierët, në shumë raste, kanë ndjekur rrugën e mjekëve specialistë.
Vetëm nga Qendra Emergjente, gjatë vitit 2014 kanë ikur më shumë se 10 infermierë, gjë që ka bërë që kjo klinikë si më e frekuentuara në tërë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe qendër terciare referente për gjithë Kosovën, të mbetet me mungesë të kuadrit të mesëm.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë të punësuar rreth 613 mjekë dhe 1,833 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.