Qytetarët serbë nga veriu i Mitrovicës ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me propozimin e dhënë nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Disa mendojnë se Beogradi duhet t’u mundësojë atyre që përmes Qendrës Koordinuese që ka në Kosovë, t’iu sigurojë marrjen e pasaportave të Serbisë.
Të tjerë thonë se do të aplikojnë sa më shpejt për pasaportën e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë ka marrë mendimet e disa qytetarëve serbë nga veriu i Mitrovicës, të cilët kanë shprehur opinione nga më të ndryshmet në lidhje me vendimin e fundit të Brukselit për liberalizim të vizave.
“Unë që kam pasaportë te Qendra Koordinuese nuk do të mund të shkoj më në Beograd që të marr pasaportën (vazhdimin e saj), vizën, e po ashtu këtë s'mund ta bëj as në Prishtinë”, thotë një qytetar nga veriu (emri i të cilit është i njohur për redaksinë).
Sipas tij, gjërat për serbët vetëm sa po vijnë e po përkeqësohen në këtë drejtim.
Të tjerë flasin për peripecitë që kanë me marrjen e vizave për të udhëtuar me pasaportat që u lëshon Qendra Koordinuese Serbe.
“Unë kisha një rast para pak muajve që të udhëtoja në Kroaci dhe është dashur të presim për viza, ngase i kemi këto pasaportat e Qendrës Koordinuese dhe mos të flas për peripecitë që i kemi”, thotë një qytetare tjetër, po nga veriu i Mitrovicës.
Të tjerë banorë nga veriu presin që pas vendimit të Brukselit për liberalizimin e vizave për Kosovën, tani të reagojë edhe Beogradi.
“Mendoj se vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën do të sjellë të mira edhe për serbët e Kosovës, ngase shpresoj që Qeveria e Serbisë tani do të na lëshojë pasaporta serbe”, thotë një banor nga veriu i Kosovës.
Por, ka edhe një numër qytetarësh serbë nga veriu i Kosovës që aplikojnë për pasaportën e Kosovës dhe dokumentet tjera, qoftë certifikata e të ngjashme.
Këtë e konfirmon Shefja e Administratës së Mitrovicës Veriore, Adriana Hoxhiq. Ajo i inkurajon serbët e veriut që të aplikojnë sa më shumë për dokumentet që i lëshojnë autoritetet e Republikës së Kosovës.
“Nëse me pyesni se a nxjerrin qytetarët e veriut pasaporta të Kosovës, përgjigja është po”, thotë Hoxhiq për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Daniella Tomasheviq nga Organizata Joqeveritare, “Qendra për Përfaqësim Demokratik të Kulturës“ e vlerëson pozitivisht vendimin e Komisionit Evropian, ngase përmes tij, thotë ajo, qytetarët e Kosovës nuk do të trajtohen më si qytetarë të rendit të dytë apo tretë të Evropës.
Udhëtimi jashtë Kosovës me viza ishte stëngarkuar me procedura administrative dhe shpenzime, thotë ajo, duke marrë një shembull edhe nga udhëtimi i saj i fundit në Holandë.
“Herën e fundit kur udhëtova në Holandë, kam qenë e detyruar që pasi të kthehem të lajmërohem në ambasadën e këtij vendi që të tregoj se jam kthyer”, tregon Tomasheviq.
Të mërkurën, Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky vendim është pritur me entuziazëm nga institucionet e Kosovës dhe pjesa më e madhe e popullatës.
Ndërkaq, pjesa veriore, e dominuar nga popullata serbe, vazhdon të mbetet mes orientimit pro institucioneve të shtetit të Serbisë dhe atij të Kosovës.