Ndërlidhjet

Mungesa e ligjit përkatës, shkelje e të drejtave të fëmijëve


Fëmijë duke shitur në rrugë...
Fëmijë duke shitur në rrugë...

Në Kosovë llogaritet se 33 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri. Sipas të dhënave zyrtare, gjithashtu thuhet se 10.7 për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8 për qind e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme. Kurse, 61.4 për qind e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë pësuar nga dhuna psikologjike dhe fizike.

Kështu thotë Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, sipas së cilës edhe fëmijët me nevoja të veçanta nuk i realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Rreth 1200 fëmijë janë pa përkujdesje prindërore, të strehuar te të afërmit, strehim familjar apo strehim rezidencial.

Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Kelmendi thekson nevojën e miratimit të Ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, që pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës, ku kjo e fundit, si përfaqësuese e organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, ka dërguar edhe rekomandimet te kryeministri i Kosovës, për përcaktimin e buxhetit për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe krijimin e grantit specifik për Shërbime Sociale .

“Ne e kemi parë të nevojshme që të dërgojmë rekomandime për parashikimin e buxhetit të nevojshëm për këtë projektligj te kryeministri, pasi që ne në Kosovë kemi shumë ligje të aprovuara, por mungon zbatimi i tyre në praktikë”.

“Kjo gjë është potencuar edhe te Raporti i fundit i progresit, sa i përket fëmijëve - që Kosova ka legjislacion për mbrojtjen e fëmijëve, por zbatimi nuk është i mirë”, bën të ditur Kelmendi.

Në zyrën për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, Habit Hajredini thotë për Radion Evropa e Lirë se projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, është finalizuar dhe pritet të miratohet.

Ndërkaq, se sa është vlera e këtij ligji, zoti Hajredini nuk jep ndonjë informacion të saktë.

“Projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, nga aspekti profesional është përfunduar dhe janë kryer të gjitha procedurat në aspektin institucional dhe pritet që të miratohet në Qeverinë e Kosovës. Po mendoj që është një ligj mjaft i rëndësishëm, që do të rregullonte dhe mbronte të drejtat e fëmijëve në përgjithësi”.

“Sa i përket aspektit të buxhetit, ka qenë një sfidë shumë e madhe ndër vite. Mendoj që legjislacioni që tashmë është duke u finalizuar, ka një prioritet shumë të rëndësishëm, e që përfshin mbrojtjen e fëmijëve në përgjithësi”, thotë Hajredini.

Në anën tjetër, Alketa Lasku, nga organizata “Terres De Homes” konsideron e Qeveria duhet të alokojë buxhet për shërbime që ofrohen në kuadër të projektligjit.

“Një ndër rekomandimet tona ka qenë nevoja që Qeveria të bëjë një kosto të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve. Në nivelin lokal, do duhej të ishte buxheti që t’i plotësojë nevojat urgjente të fëmijëve, pra atyre që janë në rrugë dhe kanë nevojë, qoftë për ushqim, strehim e të ngjashme".

"Ajo se çfarë është parashikuar në draftin e projekt-ligjit, është se do të ketë, pos grantit të përgjithshëm që Qeveria ua shpërndan komunave, do të ndahet edhe një grant specifik që përfshin shërbimet sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve”, thotë Lasku.

Në nëntor të vitit 2015, nëpërmjet një dokumenti me rekomandime dhe arsyetime, KOMF-i i ishte drejtuar edhe ministrit të Financave, ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Komisionit për Shëndetësi dhe atij për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës, lidhur me propozim-rekomandimet e KOMF-it për krijimin e një granti specifik për shërbimet sociale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG