Në një lagje të banuar kryesisht me komunitetet rom, ashakli dhe egjiptas në qytetin e Fushë Kosovës, të rinjtë e këtyre komuniteteve, flasin për një jetë me shumë probleme që ata e bëjnë në Kosovë.
Papunësia, varfëria dhe diskriminimi janë tri nga shqetësimet më të mëdha të tyre, që ata i theksojnë në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë.
Refkiun, një i ri nga komuniteti ashkali, e takuam në një vend, ku siç tregon ai, është vendi ku ata dalin për të gjetur punë. Refkiu dhe shokët e tij, aty qëndrojnë gjatë tërë ditës dhe presin që dikush të vijë t’i marrë që të punojnë ndonjë punë krahu.
“Këtu rrimë gjatë tërë ditës, ne duhet të punojmë, por askush nuk vjen të na marrë që të punojmë. Neve na duhet të gjejmë punë që të mbijetojmë disi”, shprehet Refkiu.
Papunësia është një nga problemet thelbësorë në Kosovë. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është 35 për qind, ndërkaq, varfëria ekstreme 10 për qind.
Papunësia, më së shumti i ka prekur këto komunitete. Sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, mbi 90 për qind e këtyre komuniteteve janë të papunë dhe jetojnë nga asistenca sociale.
Sahiti, nga komuniteti egjiptas ankohet se nuk arrijnë të gjejnë punë, dhe se asistenca sociale që familja e tij e merr, është e pamjaftueshme.
“Kur nuk ke punë, nuk ke asgjë. Asistenca sociale është e ulët, fëmijët e komuniteteve i gjen duke kërkuar lëmoshë ose në kontejnerë të mbeturinave duke mbledhur kanaçe. Kjo nuk është askund në botë. Duhet të rritet asistenca sociale, të bëhet deri 250 euro, me 70 euro sa marrim janë shumë pak”, thotë Sahiti.
Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas (RAE), njihen zyrtarisht si komunitete të veçanta në Kosovë dhe sipas Kushtetutës, gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.
Por, ndryshe veprohet në praktikë nga ajo çfarë thuhet në Ligje, thonë të rinjtë e këtij komuniteti, të cilët shtojnë se janë të diskriminuar nga komuniteti shumicë shqiptar.
Egzon Avdullahu është 16 vjeç nga komuniteti rom. Ai flet për raporte jo të mira me shqiptarët.
Egzoni tregon për Radion Evropa e Lirë se vëllai i tij, i cili ka ndjekur mësimet në një shkollë publike, i ka ndërprerë ato, për shkak se, siç thotë ai, ka qenë i përqeshur nga shokët, për faktin se i takon komunitetit rom.
“Unë kam shkuar në shkollë, por të gjithë na rrahin dhe na thërrasin ‘magjup’ . Vëllanëtim më të vogël shqiptarët e kanë rrahur dhe tash për momentin ai nuk shkon fare në shkollë”, thotë Egzoni 16 vjeç.
Diskriminimi shoqëror kundër pjesëtarëve të pakicave etnike ishte theksuar edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut.
Edhe një nga problemet e këtyre të rinjve mbetet niveli i ulët apo fare i shkollimit.
Në Kosovë, komunitetet rom, ashkali e egjiptas, gëzojnë të drejtën që të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare.
Por, që sipas të dhënave të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen dhe interesat e këtyre komuniteteve, thuhet se 85 për qind e qytetarëve të këtyre komuniteteve, nuk e kanë të kryer shkollën fillore.
Elhame B, 16 vjeç nga komuniteti rom, është fëmija i dhjetë i familjes. Ajo nuk ka shkuar asnjëherë në shkollë. Thotë që kushtet e rënda ekonomike i kanë pamundësuar shkollimin.
“Nuk kam shkuar në shkollë, por mësimin dhe leximin e kam mësuar nga interneti. Ne dalim dhe mbledhim kanaçe nëpër kontejnerë, i grumbullojmë dhe i shesim. Jam e kënaqur me jetën, kam shtëpi dhe jam mirë me familje, puna është e vështirë, por arrijmë të mbijetojmë, të blejmë ushqime”, tregon ajo.
Derisa, po flisnim me Elhamen, shoqja e saj me ermin Xhemile i kërkon ndihmë asaj që t’i tregojë se çfarë po i shkruante dikush në telefon.
Xhemilja tregon se nuk di shkrim dhe lexim.
“Kam qenë në shkollë ku kam ndjekur mësime intensive, por ka qenë kohë e shkurtër dhe nuk kam arritur të mësoj diçka. Unë nuk di as të shkruaj e as të lexoj. Tash punoj, mbledh gjëra të metalta, hekura nëpër kontejnerë”, shprehet ajo.
Shkollimin e ka ndërprerë edhe Labinoti, një i ri i komuniteti egjiptas, i cili jeton në Fushë Kosovë. Labinotin e takuam derisa po shkonte në punë. Ai punon si pastrues në një ndërtesë private.
“Më është dashur të punoj, pastaj e ndërpreva shkollën. Puna që e bëj, nuk është vështirë, por është vështirë të gjesh punë”, thotë ai.
Në Kosovë llogaritet se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptas. Qeveria e Kosovës, tashmë shumë herë ka shprehur përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.
Por, përfaqësuesit e komuniteteve, vazhdimisht kanë shprehur ankesa të mëdha se Ligjet e strategjitë e miratuara për këto komunitete, kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë.