Distribucioni i Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), edhe pse që nga viti 2013 i është nënshtruar privatizimit dhe vepron si kompani private, është e liruar nga pajisja me aparate elektronike fiskale. Këto aparate nevojiten për lëshimin e kuponëve fiskalë pas çdo pagese të faturës.
Lirimi nga ky obligim është bërë në bazë të një udhëzimi administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, që ka hyrë në fuqi në mars të vitit të kaluar.
Zëdhënësi i kësaj kompanie, Viktor Buzhala, thotë se KEDS vepron në përputhje të plotë me udhëzimin që është në fuqi
“Arsyeja është se KEDS-i si furnizues i shërbimeve publike është i liruar nga vendosja e printerëve fiskalë, sikurse kompanitë tjera që ofrojnë shërbime të tjera. Arsyeja është se TVSH-ja llogaritet në bazë të inkasimit dhe jo faturimit. Do të thotë, KEDS vepron në përputhje të plotë me udhëzimin administrativ në fuqi”, ka thënë Buzhala për Radion Evropa e Lirë.
Në udhëzimin administrativ thuhet se ndërmarrjet e energjisë, shërbimet komunale të telekomunikacionit si dhe ndërmarrjet tjera publike nuk janë të obliguara të pajisen me aparate elektronike fiskale.
Edhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës në një përgjigjje përmes postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se “kjo ndërmarrje që ofron shërbime të energjisë elektrike për shërbimet e kryera, pagesa bëhet përmes dorëzimit të faturave të përllogaritjes së konsumit përmes instrumenteve matëse për energji elektrike, pasi nuk obligohet kjo kategori të ketë pajisje fiskale edhe nuk obligohet të lëshojë kuponë fiskal konsumatorit.”
Por, përfaqësues të shoqërisë civile shprehen se që nga koha e privatizimit, kjo kompani është favorizuar nga Qeveria e Kosovës.
Visar Azemi, koordinator në konsorciumin e shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm, KOSID, thotë kjo organizatë ka kundërshtuar vazhdimisht udhëzimin administrativ. Sipas tij, KEDS duhet të trajtohet e barabartë me kompanitë tjera private.
“Ne kemi paraqitur një paralele në mes KEDS-it dhe IPKO-s, ku të dyja funksionojnë në Kosovë dhe njëra detyrohet të lëshojë kuponë fiskal e tjetra jo. Të dyja janë kompani private të cilat kanë blerë asetet në Kosovë, por trajtohen ndryshe. Ne kërkojmë që KEDS të mos trajtohet ndryshme nga operatorët tjerë të cilët janë të obliguar që të lëshojnë kuponin fiskal”, ka deklaruar Azemi.
Edhe zyrtarë të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, vlerësojnë se kompanitë e privatizuara, e që janë më pronarë privatë, duhet të pajisen me arka fiskale.
Zëdhënësi i kompanive të licencuara për pajisje fiskale, Kestrin Kumnova, thotë se qytetarët kanë vërejtje të shumta për moslëshimin e kuponëve fiskalë nga KEDS.
“Kompanitë e arkave fiskale janë të gatshme të furnizojnë KEDS-in më pajisje më arka fiskale. Mirëpo ata po thirren në udhëzimin administrativ që i liron nga fiskalizimi kompanitë publike dhe nuk po pajisen më këtë lloji aparat. KEDS nuk është kompani publike dhe është private dhe si e tillë është dashur të fiskaliziohet”, ka thënë Kumnova për Radion Evropa e Lirë.
Për disa vite ka filluar procesi i pajisjeve me aparate elektronike fiskale për të gjitha bizneset aktive në Kosovë, por si i tillë vazhdimisht është neglizhuar.
Sipas Kumnovës, llogaritet që janë mbi 19 mijë biznese që operojnë pa pajisje me aparate fiskale.
Në anën tjetër, Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës, vazhdimisht u ka bërë thirrje bizneseve për fiskalizim, madje gati qe një vit edhe shpërblen qytetarët të cilët grumbullojnë kuponë fiskalë.