Ndërlidhjet

Gratë, pjesë e pabarabartë e shoqërisë në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Dhuna fizike ndaj gruas, papunësia si dhe përfaqësimi i ulët i grave në pozita vendimmarrëse janë problemet thelbësore me të cilat përballen gratë në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.

Ato kritikojnë institucionet e Kosovës se nuk kanë bërë aq sa duhet në fuqizimin e gruas.

Për më shumë, ato shprehen mjaft të zhgënjyera për mos zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat e grave.

Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se ende në Kosovë po vazhdon dhuna në familje, e që viktimë e kësaj dhunë në të shumtën e rasteve është gruaja.

“Kemi një shoqëri që akoma po vazhdon dhuna në familje,në këtë shoqëri ku nuk shihet drejtësia, në këtë rast dënime për ata që kryejnë dhunën, atëherë dhuna po vazhdon të merr masa të vrasjeve, qysh ka ndodhur edhe në Prishtinë edhe në Suharekë”, thekson Rogova.

Sipas shifrave zyrtare të Policisë së Kosovës, gati çdo vit në Kosovë evidentohen mbi 1 mijë raste të dhunës në familje, por që thuhet se jo çdo herë këto shifra janë të sakta, pasi që shumë raste nuk raportohen.

Papunësia, po ashtu, sipas përfaqësuesve të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave, vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha tek gratë në Kosovë.

Gratë në Kosovë, thonë ato, po vazhdojnë te mbesin të varura ekonomikisht nga burrat e tyre, gjë e cila paraqet një problem mjaft të madh në pavarësimin e tyre ekonomik.

Sipas të dhënave të agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia tek femrat është 41.6 për qind derisa tek meshkujt është 33 për qind.

Në anën tjetër, edhe Arjeta Rexhaj, drejtoreshë e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gruaja në Kosovë nuk është në pozitë të favorshme, ashtu çfarë do të meritonte.

Ajo shton se pozita e grave në proceset e vendimmarrjes në Kosovë, nuk është aspak në nivelin e duhur.

“Kur ta shohim gruan në pozitat vendimmarrëse shohim se janë në pozicione të pafavorshme. Në Kosovë kemi 21 ministri dhe vetëm dy gra ministre”, shton ajo.

Ligji për Barazi Gjinore, obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Kosova që nga viti 2004 ka të miratuar Ligjin për Barazi Gjinore.

Sipas këtij ligji, barazia ndërmjet gjinive është vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovë, me mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve për kontributin e tyre në zhvillimin politik, ekonomik, social, kulturor dhe në të gjitha fushat e jetës shoqërore.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Kosovë është mbajtur një protestë me moton "Marshojmë s’festojmë".

Krerët e institucioneve të Kosovës gjatë aktiviteteve që kanë shënuar në nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kanë shprehur përkushtimin e tyre për fuqizimin e gruas në shoqëri si dhe kanë garantuar barazi gjinore

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG