Ndërlidhjet

Migrantët shpërthejnë kufirin, autoritetet përgjigjen me gaz lotsjellës


Kufiri greko-maqedonas, 29 shkurt 2016
Kufiri greko-maqedonas, 29 shkurt 2016

Policia e Maqedonisë ka hedhur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë migrantët, të cilët ishin përpjekur me dhunë ta kalojnë kufirin nga Greqia.

Migrantët, të zemëruar me pritjet e gjata në përpjekjet e tyre për të kaluar ilegalisht në Maqedoni, kanë depërtuar nëpër vendkalimin Idomeni të Greqisë.

Duke brohoritur “Hapni kufijtë”, ata po ashtu, kanë hedhur gurë kundër policëve të Maqedonisë, e pastaj janë shpërndarë.

Athina thotë se më se 22 mijë migrantë janë bllokuar në pjesë të ndryshme të Greqisë për shkak të kufizimeve të imponuara nga Maqedonia, Serbia dhe Austria, vende këto që janë përgjatë rrugës që migrantët e përdorin për të arritur në Gjermani dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e UNHCR-së në Greqi, Stella Nanu, për Radion Evropa Lirë ka bërë të ditur se për momentin nga ana e kufirit grek qëndrojnë rreth 8 mijë migrantë të cilët presin të hyjnë në Maqedoni.

Kastriot Rexhepi, i cili vepron në kuadër të organizatës humanitare Nun Kultura në Gjevgjli, thotë se tensionimi i situatës vjen nga humbja e durimit nga ana e migrantëve të cilët për ditë të tëra në kushte të vështira, dhe temperatura të ulëta veçanërish tgjatë natës janë duke pritur për të hyrë në Maqedoni.

“Tensionimi i situatës në pikën kufitare Maqedoni - Greqi vjen si rrjedhojë e asaj që tanimë disa ditë një numër më i madh i refugjatëve është mbledhur aty dhe presin të futen në qendrën pranuese në Gjevgjeli", thekson Rexhepi.

Ndërkaq përfaqësuesja e UNHCR-së Lubinka Brashnarska, thotë se nevojitet koordinim më i mirë për lëvizjen e migrantëve në trajektoren e vendeve të Ballkanit, duke theksuar se ndalesat në pikat kufitare nuk paraqesin zgjidhje për krizën e refugjatëve.

“Megjithatë kur bëhet fjalë për menaxhimin e kufijve duhet të merren parasysh nevojat e refugjatëve të cilët vijnë nga viset e prekura nga lufta, përfshirë këtu dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Menaxhimi kufijve duhet dhe mund të bëhet pa e shkelur të drejtën e lëvizjes së lirë“, thekson Lubinka Brashnarska përfaqësuese e UNHCR-së në Maqedoni.

Ndryshe gjatë orëve të hershme të mëngjesit rreth 500 migrantë nga Siria dhe Iraku, të cilët më shumë se 5 ditë kanë qëndruar në kamp, me tren janë nisur për në Tabanovc dhe më pas do të vazhdojnë rrugën drejt Gjemanisë dhe Austrisë.

Në qendrën pranuese në Tabanovc në kufirin Maqedoni - Serbi qëndrojnë rreth 700 migantë të tjerë të cilët janë kthyer nga Serbia pasi kanë hyrë përmes rrugëve ilegale nga Bullgaria pa pasur me vete dokumentacionin e nevojshëm me të cilin u mundësohet lëvizja e lirë migrantëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG