Ndërlidhjet

Interneti, sa i dobishëm, aq i rrezikshëm për fëmijët


Ilustrim
Ilustrim

Fëmijët i ekspozohen ekranit shumë orë në ditë. Ata këtë kohë e kalojnë duke shikuar televizorin, pranë kompjuterit apo lojërave të ndryshme elektronike.

Ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj mjeteve teknologjike, ka qenë temë debatesh shpeshherë në Kosovë, e edhe në shumë vende nëpër botë, duke u vlerësuar shpeshherë si i dëmshëm.

Sipas një hulumtimi të bërë në Kosovë nga organizata “Save the Children” kohë më parë, del se mbi 80 për qind e fëmijëve në Kosovë e përdorin internetin.

Agron Seferi, zyrtar për mbrojtjen e fëmijëve në ‘’Save the Children’’, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fëmijët nuk e përdorin në mënyrë të drejtë internetin.

"Ne si organizatë kemi bërë hulumtim nëpër shkolla, në shtatë Qendra të Kosovës, dhe prej të dhënave që kemi marrë nga hulumtimi, del se është një përqindje shumë e madhe e fëmijëve që e përdorin internetin. Ata nuk e kuptojnë në mënyrë të drejtë, se si ta përdorin internetin dhe nëse interneti nuk përdoret në mënyrë të drejtë, atëherë gjithmonë ka hapësirë që fëmijët të jenë viktima të abuzuesve të internetit".

"Fëmijët kryesisht internetin e përdorin për rrjete sociale, ndonjë sajt për të shikuar diçka, por jo edhe për tu informuar për ndonjë çështje lidhur me mësimin".

Zoti Seferi flet edhe për disa nga pasojat që shkakton përdorimi jo i drejtë i internetit nga ana e fëmijëve.

"Rastet që ne i kemi hasur gjatë hulumtimit kanë qenë dhuna mes fëmijëve që ka filluar nga rrjetet sociale, dhe ka vazhduar në shkollë apo edhe jashtë saj", shtoi Seferi.

Edhe vetë fëmijët flasin për atë se për çfarë kryesisht e përdorin internetin.

Narti, 10 vjeçar, thotë se internetin e përdorë për rrjetes ociale, ndonëse mosha e tij është mjaft e vogël.

"E përdori internetin, edhe facebook-un e përdori. Flas me shokët e mi edhe në viber, aty e kuptoj edhe çka kam detyra të shtëpisë kur ndonjëherë nuk i kuptoj në klasë. Edhe lojëra luaj në internet".

Fadil Maloku, profesor i sociologjisë, ka thënë se fëmijët në Kosovë e përdorin shumë internetin dhe siç thotë ai, ata janë të mahnitur pas këtij revolucioni teknologjik, derisa flet edhe për pasojat.

"Interneti tek gjeneratat e reja është mekanizmi që më së shumti përdoret. Por, ne nuk kemi analiza adekuate për pasojat që do t'i sjellë, derisa studimet e jashtme kanë treguar se padyshim sjelljet sociale, dhe sjelljet midis gjeneratave kanë ndryshuar, dhe kanë filluar të zbehen. Është evident një lloj tjetërsimi social i të rinjëve. Psikologët mendoj se do të kenë mjaft punë për ti ri-socializuar dhe për t'i kthyer në jetë normale të rinjtë".

Sidoqoftë në Kosovë shpeshherë fëmijët ekspozohen edhe ndaj përmbajtjeve që nuk janë të përshtatshme për ta edhe në televizor, edhe pse ekziston rregullorja që ndalon një gjë të tillë.

Kryesisht bëhet fjalë për skena të dhunshme, seksuale, fjalor vulgar, gjestikulacione dhe sjellje të ngjashme.

Në rregulloren për Subjektet Transmetuese për Mbrojtjen e Fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme programore, që është e bazuar në Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Transmetim, thuhet se qëllimi i saj është të mbrohen fëmijët nga programet të cilat mund të ndikojnë negativisht tek ata.

Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se shihet nevoja e fushatave vetëdijësuese, pasi që një problematikë e tillë është evidente dhe mjaft shqetësuese.

"Programet televizive, por edhe të tjera, janë të papërshtatshme dhe nuk mjafton vetëm vënia e shenjave siç i parasheh ligji, por duhet ketë edhe një mesazh më tepër përveç asaj, pasi që roli i medieve është përgjegjësi shoqërore. Ne si Asociacion i Gazetarëve të Kosovës, shohim me shqetësim ekspozimin e fëmijëve ndaj programeve të ndryshme që nuk janë për moshën e tyre".

"Vitin e kaluar edhe kemi arritur një memorandum mirëkuptimi, dhe jemi duke punuar me organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve, për të parë nëse do të mund të bëhet një rregullore për kodin që duhet t'i përmbahen të gjitha mediat", shtoi Shabani.

Sidoqoftë, paralajmërimet për moshë të caktuar janë vënë në pikëpyetje për mosefikasitet, pasi që në mbarë botën audienca e mitur vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme për moshën e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG