Në zgjedhjen e dekanëve të Universitetit të Prishtinës, "Hasan Prishtina” ka ndikuar politika dhe grupet e interesit brenda këtij institucioni dhe kjo do të ndikojë në keqësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së arsimit të lartë, thonë ekspertë për çështje të arsimit.
Kurse udhëheqës të universitetit thonë se me një përkushtim serioz të të gjithë mekanizmave brenda UP-së, rishikim të programeve studimore, përkatësisht adoptimin e tyre në përputhje me standardet evropiane, nuk do të mungojë edhe ngritja graduale e cilësisë së arsimit në këtë universitet.
Esat Kelmendi Sekretar i Përgjithshëm në Rektorat, në një përgjigjjje përmes postës elektronike dërguar Radios Evropa e Lirë, shkruan se njësitë akademike kanë zgjedhur dekanët e tyre, nga 13 dekanët e zgjedhur tre prej tyre janë rizgjedhur, ndërsa njëri (i katërti) kishte marrë mandatin në qershor të vitit 2015 dhe tani është rizgjedhur, kurse nëntë janë emra të rinj.
Por, kritik në mënyrën e përzgjedhjes se këtyre dekanëve shprehet Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit në Kosovë.
Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se me përfundimin e procesit të zgjedhjeve të dekanëve është dëshmuar edhe një herë se Universiteti i Prishtinës është i politizuar. Hyseni thotë se më këtë zgjedhje të re, nuk do të ketë stabilitet, por as cilësi të arsimit.
“Gjendja në këtë universitet nuk do të avancohet, por do të përkeqësohet jashtëzakonisht shumë. Sepse tani përfaqësuesit të cilët janë zgjedhur, flas për këshillin drejtues, janë militantë të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike".
"Mendoj se forcat e ndryshimit nuk ekzistojnë tani për tani në universitetin publik dhe ky do të jetë një problem i madh jo vetëm për UP-në, por për të ardhmen e Kosovës. Për mua është një fatkeqësi që ka ndodh dhe dikush duhet të bart përgjegjësi për këtë gjendje”, shprehet Hyseni.
Ndërkaq, Dukagjin Pupovci, udhëheqës i Qendrës për Arsim, thotë se në mesin e dekanëve të zgjedhur ka të kualifikuar për një pozitë të tillë, por ka edhe të përzgjedhur nga grupet e interesit, grupe këto, siç thotë ai të krijuara brenda Universitetit të Prishtinës.
“Jo pse politika nuk ndikon në universitet, por pse ndikimi politik që është ushtruar në universitet në të kaluarën ka bërë që tani aty të krijohen grupe të cilat janë në gjendje të vendosin dekanët edhe t'i vendosin anëtarët e organeve të tjera të universitetit”, thotë Pupovci.
Se a do të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë pas përzgjedhjes së dekanave të rinj, Pupovci thotë se një përkushtim i tillë vazhdimisht ka munguar.
“Besoj se edhe kjo zgjedhja e dekanëve reflekton mungesën e përkushtimit sepse njerëzit po i shohin interesat e veta, si po iu konvenon më mirë. Besoj se një numri të konsiderueshëm më mirë i konvenon t'i ketë pesë ose gjashtë vende të punës, të qëndrojë më pak në universitet se sa do të duhej normalisht të qëndrojë dhe kjo pastaj që sigurisht ndikon në cilësi".
"Nga ana tjetër e kemi edhe çështjen tjetër të punësimit dhe avancimit të njerëzve jashtë kritereve akademike, që është një manifestim tipik i organizimit klanor brenda universitetit e që po ashtu e lëndon cilësinë”, tha Pupovci.
Megjithatë, Universiteti i Prishtinës, sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Esat Kelmendi, ka kapacitete intelektuale, por edhe studentë të shkëlqyer që mund t'i tejkalojnë kufijtë rajonal.
Përveç përzgjedhjes së dekanëve, ditë më parë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka emëruar katër anëtaret e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” i cili para pak ditësh shënoi 46 vjetorin e themelimit.
Kurse, ditën e martë ka dhënë dorëheqje nga pozita e rektorit, Ramadan Zejnullahu, ku Këshilli Drejtues i Universitetit tashmë ka shpallur konkurs për zgjedhjen e rektorit të ri.