Ndërlidhjet

Kriza thellohet, partitë politike nuk ofrojnë zgjidhje


Ilustrim - Një nga seancat plenare të Kuvendit të Kosovës
Ilustrim - Një nga seancat plenare të Kuvendit të Kosovës

Mungesa e reflektimit nga ana e liderëve të partive më të mëdha politike në Kosovë, për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth gjendjes së krijuar, sipas analistëve politik, dëshmon se tash për tash në skenën politike kosovare nuk ka ndonjë ide se si të dilet nga kriza.

Analisti Arben Qirezi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se takimet, sikurse ky i ditës së hënë në presidencë, kanë treguar se nuk mund të gjendet zgjidhja për krizën e krijuar. Gjithçka, tash e tutje, sipas tij, do të varet nga zhvillimet politike që janë paralajmëruar, qoftë nga pushteti apo opozita.

“Qysh në fillim mund të them që ky takim mund të konsiderohet i dështuar, sepse nuk solli deri te zgjidhja. Edhe nisma e presidentes, sado që ka qenë qëllim mirë, sado që ka sjellë një platformë, iniciativën si të tillë e shoh të dështuar. Mendoj që zhvillimet politike në ditët dhe javët që vijnë do të tregojnë se në çfarë drejtimi do të evoluojë situata”, ka thënë Qirezi.

Ndërkohë, për analistin Belul Beqaj, bisedimet të cilat mbahen, sipas tij, vetëm sa për t’u biseduar, e rrezikojnë të kuptuarit e mirëfilltë të dialogut. Për rrethanat aktuale të Kosovës dhe gjendjen e krijuar, zgjidhja, sipas tij, mund të kërkohet vetëm përmes krijimit të një qeverie kalimtare të ekspertëve, në mënyrë që vendi t’i përmbushë disa obligime ndërkombëtare dhe të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Mendoj që zgjidhja e vetme racionale është qeveria e ekspertëve, e cila do ta kryente këtë detyrë në një periudhë relativisht të mesme, një deri në dy vjet.”

“Ndërkohë do të përgatiteshin reformat zgjedhore dhe do të aktivizohej posaçërisht Gjykata Speciale Ndërkombëtare, për rastet e supozuara të krimeve të luftës. Po ashtu, besoj se ndërkohë do të relaksohej edhe raporti mes pushtetit dhe opozitës”, ka vlerësuar Beqaj.

Sipas tij, përfaqësuesit ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët të hënën ishin vetëm vëzhgues në takim, gradualisht do të dalin me propozime konkrete. Vetëm atëherë, ka theksuar Beqaj, do të mund të pritet ndonjë reflektim eventual nga ana e partive politike dhe liderëve të tyre.

“Ata (ndërkombëtarët) në këtë rast kanë qenë vëzhgues aktiv dhe mendoj se në një periudhë relativisht të shkurtë do të dalin si aktorë kryesor për tejkalimin e situatës”, ka thënë Beqaj.

Por, në anën tjetër, Arben Qirezi mendon se as faktori ndërkombëtar nuk ka shumë ide se si të tejkalohet kriza.

“Rrugët për dalje nga kriza do të dalin nga zhvillimet e ardhshme politike. E kemi paralajmërimin e opozitës për protestën e ardhshme më 17 shkurt dhe paralajmërimin e koalicionit qeverisës për zgjedhjen e presidentit. Pra, do të varet nga këto zhvillime dhe mendoj se më pastaj edhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare do të formësohet nga proceset politike të cilat do të pasojnë javët në vijim”, ka thënë Qirezi.

Bazuar në polarizimet dhe tensionet në rritje që janë krijuar në raportet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, analistët kanë parashikuar se Kosovës do t’i nevojitet një periudhë kalimtare, qoftë edhe për organizimin e zgjedhjeve, në mënyrë që të krijohet një ambient dhe klime më e përshtatshme.

Tash për tash, partitë e koalicionit këmbëngulin që të procedohet me zgjedhjen e presidentit dhe me vazhdimin e punës së institucioneve, sipas mandatit kushtetueses. Nga ana tjetër, opozita këmbëngulë që qeveria të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG