Viteve të fundit në Kosovë, ka filluar shkatërrimi apo asgjësimi i tokave bujqësore.
Një sipërfaqe e madhe e tokave të pëlleshme apo të punueshme, janë betonuar, duke u shndërruar në zona industriale, ndërtesa kolektive, shtëpi private, objektet hoteliere, por edhe pompa të benzinës.
Për këtë dukuri, përfaqësues të shoqërisë civile disa herë kanë bërë thirrje për ruajtjen e tokës nga ndërtimet e pakontrolluara, pasi në të ardhmen, sipas tyre, Kosova nuk do të ketë mundësi që të sigurojë bukën për nevojat e veta.
Profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinoci, për Radion Evropa e Lirë, thotë se mosruajtja e tokës bujqësore apo tjetërsimi në tokë urbane për qëllime komerciale, është pasojë me përmasa afatgjatë dhe katastrofë për brezat e rinj.
“Pra, është një resor i karakterit strategjik dhe kombëtar dhe është prioritet ndër prioritetet, që të vijë një mekanizëm për masa sanksionuese për ruajtjen e tërësisë teknologjike të tokës bujqësore. Mendoj se është obligim kombëtar që një gjë të tillë ta ruajmë, pasi është i vetmi resurs, në të cilin Kosova mund të realizojë në të ardhmen”, thotë Rusinoci.
Se ndërtimet e ndryshme po e shkatërrojnë tokën bujqësore, e thonë edhe udhëheqës të Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovë. Zenel Bunjaku, udhëheqës i kësaj iniciative, e quan shqetësues tjetërsimin e tokës së klasit të parë.
“Unë mendoj se tokat janë duke u shkatërruar jashtëzakonisht shumë. E sidomos tokat e klasës së parë, dytë dhe tretë po ‘okupohen’ nga ndërtimet pa leje. Kjo sjell pasoja me zvogëlimin e sipërfaqes së tokës për kokë banori, po ashtu zvogëlohet edhe potenciali prodhues i të gjitha kulturave bujqësore”, thekson Bunjaku.
Kosova, që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.
Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën, e cila u përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.
Por, profesori Imer Rusinovci konsideron se ligji aktual është mjaft i mirë dhe parasheh dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore, por ky ligj nuk zbatohet.
“Unë mendoj se në këtë konotacion duhet të vihet një mekanizëm në mes të gjykatave, të cilat duhet të jenë shumë më funksionale, inspektorati, i cili duhet të paraqesë fletëparaqitje për keqbërësit”, shton Rusinoci.
Se Qeveria e Kosovës po bën përpjekje që të ruajë tokën bujqësore dhe të ndalë urbanizimin e egër, ditë më parë ka thënë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, në Samitin e Ministrave të Bujqësisë, që është mbajtur në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë.
Duke parë limitin e tokës bujqësore dhe depërtimin e zonave urbane në zonat rurale, ministri Krasniqi ka thënë se duhet përkushtim më i madh që toka bujqësore të ruhet.