Ndërlidhjet

Kosova nuk e kushtëzon BE-në për dialogun


Ende mbetet e pasigurt nëse brenda muajit janar do të mund të ketë raund të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe po ashtu mbetet i pasigurt edhe niveli i përfaqësimit në një takim eventual, në qoftë se ai caktohet tash e tutje, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, ata kanë hedhur poshtë pohimet e disa medieve në Kosovë, të cilat, siç thonë ata, kanë theksuar se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk do të marrë pjesë në një takim eventual në fund të janarit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, në rast se Kosova nuk merr përgjigje pozitive për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, janë të ndërtuara mbi bazën e partneritetit dhe jo mbi bazën e kushtëzimeve.

“Çështja e liberalizimit të vizave është çështje shumë e rëndësishme, të cilës kryeministri i Republikës së Kosovës i ka kushtuar rëndësi të madhe, por edhe qeveria".

"Ne besojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët e Kosovës tu jepet mundësia, si gjithë qytetarëve tjerë të komunitetit evropian. Megjithatë, ne nuk do të zhvillojmë marrëdhënie kushtëzimi me Bashkimin Evropian, por marrëdhënie partneriteti”, ka theksuar zëvendësministri Gecaj.

Megjithatë, zëvendësministri Gecaj, nuk ka pohuar as mohuar nëse kryeministri i Kosovës, Mustafa do të marrë pjesë në takimin e parë të sivjetshëm në Bruksel me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.

Ai ka theksuar se dialogu i Kosovës me Serbinë në Bruksel do të vazhdojë, ndonëse nuk dihet kur, për shkak se, sipas tij, ende nuk është konfirmuar ndonjë datë e takimit të ardhshëm eventual e as niveli i përfaqësimit.

“Nuk është e konfirmuar ende se do të ndodhë takimi në fund të këtij muaji. Por, dialogu do të vazhdojë. Se kur do të ketë takime, do të shohim, megjithëse ai dialog mund të vazhdojë në nivele të ndryshme. Pra, nuk është e sigurt se do të ketë takim në fund të këtij muaji, të kryeministrave. Tash për tash nuk është i konfirmuar takimi i nivelit më të lartë”.

Në anën tjetër, analisti i çështjeve politike Imer Mushkoloaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, përkujton se zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kanë kushtëzuar dialogun me Serbinë edhe më parë, por sipas tij, vetëm në mënyrë deklarative.

Sipas tij, një kushtëzim deklarativ nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ishte bërë edhe lidhur me shuarjen e strukturave jolegale serbe në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës ose zyrtarët e saj - ndonëse, mund të mos ketë dalë si qëndrim zyrtar në ndonjërën nga mbledhjet e qeverisë - kryesisht deklaratat e tilla i kanë bërë për konsum të brendshëm, por që nuk ndikojnë drejtpërdrejtë në dialogun me Serbinë".

"Nuk është se duhet të merren seriozisht edhe nëse vinë si të tilla. Aq më pak, nuk duhet të merret seriozisht ose të konsiderohet serioze ndonjë deklaratë eventuale që mund të jetë e tipit se ne nuk do të vazhdojmë dialogun për shkak se ende nuk janë liberalizuar vizat për kosovarët”.

Analisti Mushkolaj, ka shprehur mendimin se, deri më tash, Qeveria e Kosovës është dashur që në mënyrë të vendosur të kushtëzoj vazhdimin e dialogut me Serbinë, në shumë raste, për shkak obstruksioneve të Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, sipas dinamikës së paraparë.

Në anën tjetër, sipas tij, nëse shihen me kujdes hapat që ka bërë Serbia në drejtim të integrimeve evropiane, atëherë shihet qartë se Serbia ka përfituar nga dialogu në Bruksel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG