Ndërlidhjet

Opozita thërret protesta, qeveria dialog në Kuvend


Arkiv - Parlamenti i Kosovës
Arkiv - Parlamenti i Kosovës

Partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e përpjekjeve dhe aktiviteteve në kundërshtim të politikave që po udhëheqë qeveria e koalicionit të dy partive më të mëdha në Kosovë.

Përfaqësues të tri partive opozitare, Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Valdete Bajrami nga Nisma kanë konfirmuar se më 9 janar, opozita do të thërrasë një protestë në Prishtinë, në të cilën do të kërkohet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, andaj opozita kërkon që ajo të anulohet.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi ka thënë se protestat do të vazhdojnë, njësoj siç u protestua gjatë katër muajve të fundit, në përpjekje të bllokimit të zbatimit të marrëveshjeve, të cilat, sipas tij, janë të dëmshme për Kosovën. Protesta e 9 janarit, ka theksuar ai, do të jetë paqësore.

"Nuk ka asnjë arsye që, kur flitet metoda të ndryshme, të ngjallet çfarëdo ndjenje negative në lidhje me metoda të reja. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Absolutisht protesta do të jetë paqësore dhe ky është qëndrimi i tri subjekteve", ka thënë Çaushi.

Me qëndrime identike janë paraqitur edhe dy partitë tjera opozitare. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, ndaj së cilës po vazhdojnë procedurat ligjore për shkak të posedimit dhe hedhjes së gazit lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se opozita nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë aktuale të Kosovës.

"Pavarësisht se çfarë forma të represionit do të përdorin ndaj opozitës, ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë të jemi kundër marrëveshjeve, do të kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ky vendim duhet të vlejë për të gjithë dhe duhet të zbatohet", ka theksuar Donika Kadaj Bujupi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa paraprakisht kishte deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me parimet e marrëveshjes për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, nuk e pamundëson themelimin e këtij trupi.

Mustafa është zotuar se vendimi i Kushtetueses do të respektohet dhe zbatohet në kuadër të statutit dhe se vet dekreti i themelimit të Asociacionit do të vlerësohet nga Kushtetuesja.

Ndërkaq, në lidhje me vazhdimin e përplasjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe protestës së paralajmëruar për 9 janar, Mustafa ka thënë se pret që qytetarët të rrinë anash dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve politik.

"Përmes protestave është parë që opozita nuk e ka përkrahjen, sepse në të gjitha tubimet që janë bërë deri më tani ka qenë një numër i kufizuar i qytetarëve. Unë pres që kështu do të jetë edhe më 9 janar. Por, ajo që unë do ta parapëlqeja më shumë është që ta ndërrojmë këtë metodë të shprehjes së pakënaqësive dhe këtë ta bëjmë në Kuvend, përmes dialogut dhe argumentimit të gjitha çështjeve", ka deklaruar Mustafa.

Për më gjatë se katër muaj opozita ka protestuar jo vetëm në rrugë, por edhe në Kuvendin e Kosovës, duke bllokuar seancat plenare, me kërkesat që Qeveria ta anulojë marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Madje, opozita kishte shprehur hapur edhe mosbesimin e saj në vendimin që do të merrte Gjykata Kushtetuese në lidhje me Asociacionin, kurse tani është vënë në mbrojtje të aktgjykimit të shpallur po nga kjo Gjykatë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG