Ndërlidhjet

Jahjaga: Nuk guxojmë të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të dhe BE-në


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kosova nuk guxon ta rrezikojë partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Këto komente, ajo i ka bërë gjatë fjalimit në 40-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Jahjaga edhe të premten ka kërkuar nga partitë politike dhe institucionet që të mos e pengojnë, por ta çojnë përpara agjendën politike të shtet-ndërtimit të Kosovës, për çka edhe e kanë marrë besimin e qytetarëve.

"Ne nuk guxojmë të vëmë në rrezik partneritetin me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe BE-në, e as t'ua zëmë frymën zhvillimeve demokratike dhe të rëndojmë jetën e qytetarëve të vendit, besimi i të cilëve në secilin prej nesh, qoftë liderë institucionalë ose partiakë po zbehet çdo ditë e më shumë", ka thënë Jahjaga.

Mesazhet e presidentes Jahjaga, vijnë në kohën kur ajo po hyn në muajt e fundit të mandatit pesëvjeçar.

Pas një fjalimi mjaftë të rreptë dhe me tone kritike të mbajtur para Kuvendit të Kosovës, edhe të premten tha se ky lidership e ka për obligim që ta përmbyllë konsolidimin e shtetit të Kosovës, ngase ngecjet, sidomos në krijimin e shtetit ligjor, sipas saj, po e mbajnë Kosovën larg projektit për integrim në Bashkimin Evropian.

"Ne sot vazhdojmë të jemi larg projektit të BE-së; jo vetëm sepse nuk kemi arritur të tejkalojmë dallimet tona të brendshme e të punojmë në strategjitë për anëtarësim, por edhe sepse nuk kemi arritur që në skenën ndërkombëtare të forcojmë më shumë argumentin e një shteti të së drejtës", ka deklaruar Jahjaga.

Po ashtu, presidentja e Kosovës ka folur dhe në lidhje me sfidat që ka dialogu me Serbinë që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian me qëllim të normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

Ishte pikërisht marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe, ajo që nxiti përplasje të mëdha politike në Kosovë, ndërmjet qeverisë dhe opozitës, krahas marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin.

"Ne kemi hasur në vështirësi – sepse dialogu me Serbinë është më shumë çështje e konsensusit tonë, që duhet të prodhojë edhe stabilitet të brendshëm, por edhe rezultate konkrete, që çon drejt shtetit gjithëpërfshirës por që nuk prek shtetësinë", është shprehur Jahjaga.

Po në lidhje me raportet me Serbinë, ka folur edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami i cili vlerësoi se Serbia, ende nuk ka arritur të largohet nga e kaluara dhe politika iracionale në raport me Kosovën.

"Ne edhe sot përballemi me mohimin shkurtë pamës, me ringjalljen e memorandumeve që kërkonin zhdukjen tonë. Shembulli i propagandës serbo-ruse kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO e dëshmoi edhe njëherë këtë".

"Por, ne jetojmë në kohën kur preokupimet e civilizimit bashkëkohor janë më të mëdha sesa shpirtvogëlsia urrejtëse me dilema e brenga të shumta për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit", ka thënë Islami.

Të enjten, presidentja Jahjaga kishte vlerësuar se Kosova është futur në një krizë të paparë politike e morale.

Kjo krizë po përcillet me një mungesë totale të komunikimit mes qeverisë dhe opozitës, bllokimit të punës së Kuvendit dhe skenave të hedhjes së gazit lotsjellës nga opozita në Kuvend dhe arrestimeve të deputetëve opozitar për shkak të këtyre veprimeve.

Andaj, Jahjaga ka bërë thirrje që dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës të vendoset urgjentisht në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale e cila, tashmë po vlerësohet se po e paralizon funksionimin e shtetit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG