Ndërlidhjet

Thellohen përçarjet pushtet - opozitë


14 dhjetor 2015
14 dhjetor 2015

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, ku u përsëritën skenat e hedhjes së gazit lotsjellës dhe masa e suspendimit të opozitës, i ka vënë sërish në plan të dytë disa nisma për vendosjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për tejkalimin e gjendjes së krijuar.

Të dyja palët, po i mbrojnë jo vetëm pozicionet por edhe masat dhe veprimet që po ndërmarrin.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se veprimet e opozitës po e rrezikojnë shtetin, andaj i ka arsyetuar të gjitha masat e institucioneve për të parandaluar këto sulme.

"Në këtë rast nuk po sulmohet Parlamenti, nuk po sulmohet Qeveria, por po sulmohet shteti i Kosovës. Këtë të drejtë nuk e ka askush ta bëj. Ne duhet ta mbrojmë dhe duhet të kujdesemi për këtë shtet, sepse nuk është më Rezoluta 1244 e cila duhet të rikthehet edhe të na e mbrojnë shtetin, nuk janë misionet ndërkombëtare të cilat duhet të na e mbrojnë shtetin, por duhet të jemi koshient që ne të marrim masa dhe ta kryejmë punën tonë", ka deklaruar Mustafa.

Në anën tjetër, opozita, e cila është barrikaduar në bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës, e arsyeton këtë veprim me pengimin e zbatimit të marrëveshjes që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në Bruksel më 25 gusht me Serbinë, për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Po ashtu, këto veprime, kanë si qëllim edhe anulimin e marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin.

Të dyja këto marrëveshje, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e cenojnë funksionimin e shtetit të Kosovës, andaj edhe nuk do të hiqet dorë nga kundërshtimi deri në anulimin e tyre.

"Gjithë ajo çfarë ne po bëjmë në Kuvendin e Kosovës, është thjeshtë për ta penguar agjendën e qeverisë së Kosovës, e cila në këtë rast është agjendë në interes të Republikës së Serbisë, respektivisht të Malit të Zi e jo që kemi ne qëllim ta pengojmë punën e Kuvendit. përkundrazi ne po mendojmë që Kuvendin jemi duke e kthyer në rolin e tij që i takon", ka thënë Selimi.

Por, një vlerësim krejt tjetër ka shprehur zëvendëskryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, opozita, e cila paraqet pakicën në Kuvend, ka bllokuar këtë institucion dhunshëm dhe se Kuvendi duhet të reagoj për t'i lejuar shumicës të funksionojë dhe të drejtojë institucionet e shtetit.

"Unë do të propozoja një seancë të veçantë për gjendjen në vend, në mënyrë që të diskutojnë të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës se çka mendojnë për situatën. Kjo çështje nuk është punë individuale apo personale as e individit e as e kryetarit të Kuvendit e as e zëvendëskryeministrit, ministrave e as shefave të grupeve parlamentare", është shprehur Thaçi.

Veprimet e opozitës të përcjella me hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, kanë sjellë si pasojë ndalimin apo arrestimin e 13 deputetëve opozitar. Atyre u është shqiptuar masa e paraburgimit apo e arrestit shtëpiak.

Ndaj këtyre zhvillimeve ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, i cili ka shprehur shqetësimin e tij se si deputetët nuk po i dëgjojnë thirrjet e para dy javëve të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, se dhuna nuk ka vend në Kuvendin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG