Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që të pezullojë pjesëmarrjen e deputetëve nga opozita në seancën e sotme plenare.
Pikërisht ky vendim i Kryesisë, ia ka mundësuar edhe sigurimit të këtij institucioni, që të mos lejojnë depërtimin e opozitës në sallën ku po mbahet seanca.
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë cilësuar si "anti-kushtetuese masën e suspendimit" dhe kanë paralajmëruar mbajtjen e protestave.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj ndalimit të deputetit të partisë Nisma për Kosovën, Haxhi Shala, nga Policia e Kosovës.
Ilir Deda, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, suspendimin e opozitës nga Kryesia e Kuvendit e ka cilësuar si suspendim të demokracisë.
"Suspendim të tillë nuk ka as në Rusi, Venezuela apo Bjellorusi. Akti i sotëm e shënon fundin e Qeverisë Mustafa-Thaçi. Koalicioni PDK-LDK përbën regjimin më anti-demokratik në Kosovë në këto 16 vite liri. Natyrisht që nuk do të marr pjesë në punimet e Kuvendit pa kolegët e opozitës. Ndryshimi i vonuar në Kosovë do të vijë mē shpejtë se sa që kemi menduar", ka thënë Deda, në rrjetin social Facebook.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kanë braktisur hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Në sallën e seancave plenare, punimet e Kuvendit po i mbajnë partitë politike në pushtet, kurse në mjediset e Kuvendit ka akoma pjesëtarë të sigurimit.