Ndërlidhjet

Varësia ushtarake e Serbisë nga Rusia


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Përderisa Kroacia po merr armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Serbia po blen armë nga Rusia, mbetet pikëpyetje se a është ky sinjal që atmosfera e luftës së ftohtë është zhvendosur në Ballkan dhe se Serbia, e rrethuar me vende anëtare të NATO-s, po kthehet drejt aleancës ushtarake me Rusinë.

Ndonëse ende nuk dihen detajet e blerjes së armatimit rus nga Serbia, Marko Milosheviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se armatimi që po blihet, që nënkupton, sipas tij, pesë apo gjashtë armë artilerie, dy apo tre hedhës raketash, katër helikopterë dhe disa aeroplanë, janë shifra qesharake që nuk i çrregullojnë raportet në rajon.

Sipas tij, Serbia nuk po blenë armë vetëm nga Rusia.

“Po blihen dy helikopterë nga Rusia dhe dy nga Gjermania. Kjo vërteton neutralitetin ushtarak të Serbisë”, ka theksuar Milosheviq, duke shtuar se Serbia nuk po orientohet kah Rusia, përderisa vendet tjera në rajon janë orientuar kah Perëndimi.

“Këto janë banalitete të politikës ditore pa ndonjë vështrim më të thellë në realitetin. Pjesa më e madhe e vendeve përqark, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Shqipëria, si anëtare të NATO-s, apo Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, si vende që mëtojnë të hyjnë në NATO, në inventarin e tyre, kryesisht kanë teknikë të lindjes”, tha Milosheviq.

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Majkl Kirbi, duke u përgjigjur në pyetjet e medieve lidhur me porosinë e Serbisë për armë në Rusi, ka deklaruar se nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme dhe se Serbia ka të drejtë të blejë armë nga kushdo.

Jovan Teokareviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se rajoni i Ballkanit është larg nga vendet e konfliktit, si Siria dhe Ukraina. Por, megjithatë, duhet përkujtuar, siç ka thënë ai, prognozën kohë më parë, të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry.

“Më duket se po realizohet prognoza e para disa muajve, se Ballkani, e veçanërisht sikur Serbia, Bosnjë e Hercegovina apo Maqedonia, janë në vijën e zjarrit ndërmjet blloqeve kundërshtare, NATO-s dhe Rusisë”, theksoi Teokareviq.

Përkujtojmë se gjithë rrëfimin për raportin e forcave në rajon, e ka nisur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Porositë për armatim në Rusi, ai i ka vendosur në kontekstin rajonal, duke ndërlidhur armatosjen e Kroacisë fqinje, e cila nga Amerika ka marrë dërgesa ushtarake pa pagesë.

“Është interesant që të gjithë flasin për Serbinë, ndërkaq heshtin thuajse nuk ka ndodhur asgjë në rrethinë. Pra, thuajse është normale që dikush të blejë topa të koracuar, është normale që të marrë dhe granata hedhëse dhe raketa balistike dhe ne duhet të themi: Po, mirë është, bëhuni sa më të fortë dhe ne dëshirojmë të jemi të dobët. Këtë lloj rrëfimi nuk do ta dëgjoni nga ne”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, profesori Teokareviq vlerëson se polemika e hapur lidhur me blerjen e armatimit nga Kroacia dhe Serbia, është vetëm për konsum të brendshëm politik.

“Kjo shërben për nevojat e brendshme politike, për të fryrje të vazhdueshme të patriotizmit nga ana e qeverive të të dyja shteteve”, ka theksuar Teokareviq.

Njohësi i zhvillimeve gjeopolitike nga Mali i Zi, Blagoje Grahovac, gjeneral në pension, shpreh mendimin se vendimi i Serbisë për të blerë armë në Rusi është i gabuar.

“Serbia duhet të qëndrojë aty ku përket me civilizim dhe në mënyrë gjeografike dhe kjo nënkupton, në Evropë. Tentimi i tashëm apo më mirë të themi, akti politik, që të bëjë aranzhime ushtarake me Rusinë, është gabim strategjik. Është një formulë e vjetër që thotë se ‘shteti që mbrojtjen e vet e bazon në fuqinë e armëve, në esencë është shtet i pambrojtur”, tha Grahovac.

Ai ka shtuar se Serbia është çelësi për largimin e lojtarëve gjeopolitik nga Ballkani. Sipas tij nuk ka Evropë të qëndrueshme pa Ballkanin e qëndrueshëm dhe siç ka thënë Grahovac, Ballkani mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm në rast se Serbia është e qëndrueshme dhe e integruar në Evropë.

Për një gjë të tillë, ka thënë ai, Serbia duhet të ketë politikë të re.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG