Ndërlidhjet

Importi i veturave të vjetra, shton aksidentet


Ilustrim
Ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP), thuhet të ketë shkaktuar dëme të mëdha në mjedis dhe po ashtu ka rritur numrin e aksidenteve në trafik.

Ky vendim i qeverisë ka hyrë në fuqi në mars të këtij viti. Deri para këtij vendimi, importi i veturave më të vjetra se 13 vjet, ka qenë i ndaluar në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, gjatë një konferencë për media ku kanë prezantuar të dhënat e këtij hulumtimi, ka treguar se ky vendim i qeverisë ka dhënë mjaft efekte negative.

“Vendimi për të hequr kufizimin për import të automjeteve dhe rritja e akcizave është bërë me qëllim për të mbushur buxhetin dhe disa hapësira buxhetore, por kjo sipas hulumtimit tonë del se është një politikë e gabuar, pasi që mund të ketë 20 apo 30 milionë euro më shumë të hyra në vit, por efektet afatgjate në mjedis dhe shëndet janë shumë më të mëdha sesa përfitimi buxhetor”, ka theksuar Demi.

Në hulumtim thuhet, se përderisa, në njërën anë qeveria ka hequr kufizimet për importin e veturave të vjetra, në anën tjetër qendrat e kontrolleve teknike nuk kanë shtuar masat për një kontrollim të rreptë teknik.

Hulumtimi vë në pah se kontrollimi jo i duhur teknik po ndikon në numrin e aksidenteve në trafik dhe në ndotjen e ambientin.

Sheremet Ahmeti, drejtor i Divizionit në Komunikacion Rrugor në Policinë e Kosovës, ka theksuar se gjendja e sigurisë rrugore në këtë vit është përkeqësuar dukshëm.

“Fatkeqësisht aksidentet me fatalitet në komunikacion kanë shënuar rritje. Në vitin e kaluar deri në muajin shtator kanë qenë të evidentuar 10 persona të vdekur në komunikacion, derisa në periudhën e njëjtë të këtij viti numri i personave të vdekur është 20”.

“Muaji tetor i këtij viti është edhe më tragjik. Në muajin tetor të vitit të kaluar i kemi pasur 4 të vdekur, derisa vetëm për gjysmë muaji i kemi të 8 persona të vdekur”, ka shtuar Ahmeti.​

Këtë gjendje Ahmeti e ka quajtur alarmante. Sipas tij, nëse do të vazhdohet kështu, siguria rrugore po përkeqësohet.

Vendim i Qeverisë së Kosovës, ka bërë që numri i veturave të përdorura që vinë nga vendet e ndryshme në Kosovë, të shënojë rritje.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, nga muaji janar deri në gusht të këtij viti, numri i veturave të reja që kanë hyrë në tregun e Kosovës është 779, kurse atyre të përdorura 11.547.

Në hulumtim, po ashtu është theksuar se Kosova shpenzon më së paku mjete buxhetore për politikat e ambientit në krahasim me vendet e rajonit dhe me vendet e Bashkimit Evropian.

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, tregon se mjedisi nuk është futur si prioritet as në programin e Qeverisë së Kosovës.

“Kosova është shumë larg shteteve të cilat ruajtjen e mjedisit e kanë prioritet. Mjedisi nuk është prioritet as në programin e qeverisë së tanishme, natyrisht jo se ka neglizhencë të qëllimshme në këtë drejtim, por prioritetet tona si shtet janë të shumta. Kemi shumë prioritete dhe thjesht nuk është arritur që mjedisi të klasifikohet në pesë prioritetet e shtetit”, ka treguar Agani.

Hulumtimi i GAP-it, i rekomandon Qeverisë së Kosovës që në afat sa më të shpejtë të mundshëm të zëvendësojë politikën e importit të automjeteve nga ajo aktualja e cila bazohet në vjetërsi, në atë të importit të automjeteve të bazuara në ‘Euro Standarde” .

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG