Ndërlidhjet

Politika lë nën hije ekonominë


Ilustrim
Ilustrim

Çështjet politike në Kosovë kanë lënë nën hije zhvillimin ekonomik të vendit, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Edhe pse përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kishte thënë se zhvillimi ekonomik do të jetë prioritet i saj, ekspertët e ekonomisë mendojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kjo sipas tyre, do të reflektojë efekte negative në shoqëri.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se që nga fillimi i mandatit të Qeverisë së Kosovës, të gjithë aktivitetet kanë pasur të bëjnë me çështje politike dhe shumë pak me çështje ekonomike.

“Ajo çka kemi parë këtë vit, debati kryesor politik qoftë në qeveri, qoftë në parlament, qoftë në shoqëri në përgjithësi është sjellë fillimisht rreth çështjes Jabllanoviq, Gjykatës Speciale, Asociacionit të komunave dhe tani ngërçi politik. Po ashtu shumica e ligjeve që kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës janë të natyrës politike”, shton Demi.

Në anën tjetër, Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se aktualisht Kosova është përfshirë nga temat të cilat nuk e ndikojnë jetën e qytetarëve.

Sipas tij, kryesisht temat të cilat diskutohen janë të politikës ditore dhe luftës për pushtet.

“Unë mendoj që debatet e temave të mëdha që janë të lidhura me dialogun me Serbinë të mbyllen dhe ne të fokusohemi në ligje, në marrëveshje, në kontakte në gjërat konkrete që lidhen me investitorët e huaj”, shton Rukiqi.

Ai tregon se gjatë 10 muajve të fundit kanë pasur diskutime me komunitetin e biznesit në vendet e rajonit dhe më gjerë, për të zhvilluar aktivitete ekonomike, por që kjo agjendë ekonomike, jo çdoherë është përcjellë edhe nga autoritetet e Kosovës.

“Në vizitën e fundit që kemi pasur në Gjermani me shoqatat e biznesit ata janë të shqetësuar me atë që Kosova ende nuk e ka vendosur si prioritet tërheqjen e investimeve direkte të huaja. Deri më tani kemi pasur vetëm deklarata dhe nuk kemi pasur asnjë aktivitet apo projekt konkret i cili mund të jetë atraktiv për investitorët gjermanë”, tregon Rukiqi.

Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar ditë më parë se pavarësisht një agjende shumë të ngjeshur dhe dinamike politike, për asnjë moment nuk janë lëkundur nga prioriteti kryesor i qeverisë që është zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

Në gati të gjitha hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare dhe atyre ndërkombëtare, ishte theksuar se qytetarët e Kosovës problem kryesor e kanë mos zhvillimin ekonomik të vendit dhe papunësinë.

Aktualisht Kosovës, thekson Agron Demi i duhet një agjendë ekonomike në të cilën do të diskutoheshin çështjet që kanë të bëjnë më zhvillimin ekonomik të vendit, me anë të secilës më pas do të përmirësohej gjendja ekonomike dhe sociale e qytetarëve.

“Në fillim të vitit kemi parë një largim të madh të qytetarëve nga vendi, të cilët kanë synuar që të gjejnë një jetë më të mirë jashtë vendit, një gjë e tillë mund të vazhdojë".

"Nëse nuk ka ndonjë zhvillim ekonomik dhe nuk lejohet dalja e qytetarëve jashtë vendit për të kërkuar një jetë më të mirë, atëherë ekziston rreziku që ata të mobilizohen dhe të shkaktojnë trazira sociale brenda vendit”, ka thënë Demi.

Një pako e re fiskale e Qeverisë së Kosovës në të cilën janë përfshirë disa lehtësira për bizneset dhe një ulje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për produktet elementare, theksohet nga ekspertët se është njëra nga çështjet ekonomike me të cilën autoritetet ekonomike janë marrë gjatë këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG