Ndërlidhjet

Zyrtari afgan kërkon ndihmë nga Rusia


Abdul Rashid Dostum p
Abdul Rashid Dostum p

Zëvendëspresidenti i Afganistanit, Abdul Rashid Dostum, i është drejtuar Rusisë, që është aleate e vjetër e tij, për mbështetje të Forcës së sigurisë afgane, që duket se aktualisht është e dobët në luftë me militantët talibanë.

Talibanët aktualisht po kërcënohen me okupimin e pjesëve të mëdha të Afganistanit.

Zoti Dostum ka diplomuar në ish-Akademinë sovjetike ushtarake dhe është gjeneral i ushtrisë afgane, e cila e ka pasur mbështetjen e ushtrisë sovjetike në periudhën komuniste. Tash, ky zyrtar i lartë afgan shpreson se lidhjet me Moskën do t’i ndihmojnë në sigurimin e mbështetjes ushtarake madhore për forcat afgane.

Më 5 tetor ai ishte në Moskë dhe në Çeçeni, ku u takua me Ramzan Kadyronvin, njeriun e fuqishëm të mbështetur nga Kremlini, i cili atë ditë e kishte ditëlindjen.

Gjatë luftës civile në vitet e 90-ta, Abdul Rashid Dostum, e pat udhëhequr një grup militant uzbek. Gjatë qëndrimit në Moskë, javën e kaluar ai bisedoi me zyrtarët e lartë të sigurisë së Rusisë, duke kërkuar armatim të rëndë dhe helikopterë luftarakë, për Forcën Kombëtare të Sigurisë së Afganistanit, që i ka 350 mijë pjesëtarë.

Sultan Faizi, zëdhënës i zotit Dostum, lidhur me këtë çështje i tha Radios Evropa e Lirë në bisedë telefonike, se vendit të tij i duhet “mbështetje në luftën kundër terrorizmit”.

“Pala ruse është e përkushtuar për ta mbështetur dhe ndihmuar Afganistanin, në kuptimin e ndihmës për forcat ajrore dhe ushtarake. Ne kemi mungesë të mbështetjes ajrore, armatimit, municionit. Ne na duhet mbështetje e madhe për luftën kundër terrorizmit”, tha Sultan Faizy.

Por, sipas tij, kjo nuk do të thotë intervenim direkt ushtarak nga Rusia, ku ende mbahen mend lufta në periudhën 1979 – 1989, nga e cila u vranë afro 15 mijë ushtarë sovjetikë. Moska vazhdimisht ka përsëritur se nuk do të dërgoj trupa në Afganistan.

Zëdhënësi Faizy më tutje theksoi se zyrtarët rusë i kanë thënë zëvendëspresidentit Dostum se ata janë të shqetësuar për militantët e Shtetit Islamik, që po marrin territor në Afganistan, dhe për shkak të okupimit të shpejtë të qytetit Kunduz nga ana e talibanëve.

Për herë të parë militantët e morën kontrollin ndaj këtij qyteti verior afgan, prej se regjimi taliban ishte përmbysur nga okupimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në vitin 2001.

Marrja e kontrollit në Kunduz nga ana e talibanëve, ishte brengosëse për forcat e sigurisë së Afganistanit, që financohen nga Shtetet e Bashkuara, duke shtruar pyetje se nëse këto forca mund tu qëndrojnë militantëve pa ndihmën e trupave të NATO-s, shumica prej të cilave janë tërhequr nga ky vend gjatë vitit të kaluar.

Vitin e kaluar zoti Dostum kishte bërë vizita jozyrtare në shtetet e Azisë Qendrore, Uzbekistan dhe Kazakistan, për të kërkuar ndihmë për ushtarake. Por, ishte kthyer duarthatë.

Tash Dostum shpreson se lidhjet e tij të dikurshme me Moskën do të shndërrohen në mbështetje direkte.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG