Ndërlidhjet

Bankomatët fitimprurës


Ilustrim
Ilustrim

Bankat komerciale në Kosovë po gjejnë mënyra të ndryshme për përfitime.

Në kuadër të të hyrave, këto banka një shumë të madhe të mjeteve e përfitojnë nga tarifat e larta për shërbime për klientët e tyre.

Përveç hapjes se llogarisë rrjedhëse, pagesave dhe pranimeve që realizohen pa pagesë, për çdo shërbim tjetër duhet të paguhet.

Për të paguar ndonjë faturë të nevojshme, tarifat fillojnë nga dy euro në disa banka, nëse nuk je klient i atij institucioni, kurse në bankat tjera mund të përfundosh shërbimet me 1.50 euro.

E të gjitha këto shërbime në vendet tjera ofrohen falas.

Baki Salihu, nga qyteti i Mitrovicës, punon në një kompani private. Ai vlerëson se tarifat për shërbime janë shumë të larta.

“Provizioni është shumë i lartë. Mua më ka ndodh kur kam paguar ndonjë faturë mbi 10 euro më janë ndalur 1.5 euro, kurse pagën që e marr në aparat më ndalen 0.10 cent. Kjo është e padrejtë”, thotë Salihu.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se taksat për shërbime janë të shtrenjta.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP“, madje thekson se është dyshues fakti se të gjitha bankat në periudhën e njëjtë ngritin vlerën e tarifave apo të çfarëdo shërbimi tjetër.

“Janë shumë të shtrenjta për shkak se tarifat për shërbime nuk lidhen më shumën, pasi tarifat janë të njëjta si për klientët që transferojnë apo tërheqin 10 mijë euro sikurse ai që transferon apo tërheq 30 euro. Këto shpenzime janë shumë të shtrenjta. Por, shqetësuese është se të gjitha bankat brenda një periudhë të shkurtër të kenë të njëjtat tarifa dhe shërbime”, thekson Demi për Radion Evropa e Lirë.

Por, zyrtarë të disa bankave komerciale që operojnë në Kosovë më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se vetëm kanë ndryshuar tarifat për shërbimet elektronike dhe ato brenda në bankë.

Kjo sipas tyre, po ndodh që të zvogëlohet përdorimi i parasë së gatshme, mospritja në radhë para sporteleve, dhe të shfrytëzohen shërbimet elektronike, siç janë bankomatët dhe e-banking.

Këto shërbime bankare mund të realizohen edhe jashtë objekteve të bankave përmes postës elektronike.

Për këtë arsye disa banka komerciale në Kosovë, tashme se fundmi, në të njëjtën periudhë kanë mbyllur disa sportele dhe kanë vendosur aparate elektronike për kryerjen e shërbimeve.

Por, Agron Demi, thotë se këto shërbime janë të panjohura për një pjesë të qytetarëve.

“Është një tendencë që të elektronizohet gjithçka, duke përfshirë deponimin e mjeteve, tërheqjen e tyre, dhe të gjitha shërbimet të realizohen në mënyrë elektronike".

"Përderisa një kategori e qytetarëve mund të operojë me teknologjinë, një kategori tjetër, duke përfshirë pensionistët dhe një kategori tjetër të popullsisë, nuk kanë edukim të mjaftueshëm që të përdorin këto shërbime”, tha Demi

Sidoqoftë, sektori bankar është një ndër sektorët më fitimprurës në Kosovë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, 10 bankat komerciale në Kosovë, kanë regjistruar profit neto në vlerë prej 60.1 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG