"Mos shko. Rri me mua. Mund të mos ketë kthim!"
Ky është mesazhi të cilin Kabuli është duke e dërguar për afganët të cilët mendojnë të braktisin vendlindjen e tyre për një jetë të re në Perëndim.
Ministria për Refugjatë dhe Riatdhesim e Afganistanit ka nisur një fushatë në rrjete sociale për të përçuar këtë mesazh dhe nuk ka ndërmend të zmbrapset nga përpjekjet e saja për t'i kthyer mendjen afganëve për të mos shkuar në Evropë.
Në fotografitë që po qarkullojnë nëpër Facebook dhe Twitter shihet se ministria po përdor një dozë të shëndetshme të fajit dhe pamjeve të zymta, për t'i shtyrë afganët të përmbushin detyrat e tyre patriotike dhe të qëndrojnë për të ndihmuar në rindërtimin e shtetit të sfilitur nga luftërat.
Në një tjetër fotografi, shihet kontrasti midis një fëmije refugjat të etur në një kamp dhe një fëmije me të atin teksa korrin të mirat e tokës bujqësore të Afganistanit.
"Unë e dua shtetin tim. Nuk do të largohem", shkruhet në fotografi. "Do ta ndërtoj për më të dashurit e mi" .
Përsëri, të shtyrë nga frika, një fotografi e tretë tregon anije dhe barka të stërmbushura me njerëz, duke cekur se migrantët që udhëtojnë për në Evropë rrezikojnë të fundosen.
Qeveria merr masa
Afganët përbëjnë grupin e dytë më të madh të fluksit të migrantëve që ka kapluar Bashkimin Evropian, numër për të cilin agjencia për refugjatë në OKB ka dhënë shifrën e 50 mijë migrantëve afganë që kanë bërë këtë udhëtim që nga fillimi i vitit.
Një numër i faktorëve kanë kontribuuar në ikjen e afganëve. Tërheqja e trupave të huaja dhe organizatave nga Afganistani ka krijuar vakuum të sigurisë në shumë zona të shtetit dhe ka kontribuuar në papunësi masive dhe ulje ekonomike.
Talibanët kanë rifituar më shumë territor nëpër Afganistan, dhe dhuna është në rritje. Shumë afganë thonë se qeveria ka bërë shumë pak për të përmirësuar jetët e tyre.
Ekzodi ka alarmuar liderët afganë, sidomos për ikjen e disa nga mendjeve më të ndritura të vendit.
Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani e ka bërë ngritjen ekonomike të vendit prioritet, si pjesë e qëllimi të Kabulit për të krijuar ambient të përshtatshëm të jetesës për qytetarët e vetë.
"Në muajt e parë të presidencës sime, unë jam fokusuar në forcat e sigurisë së Afganistanit", i tha Ghani Radios Evropa e Lirë në Afganistan, në një intervistë më 20 shtator. "Nëse forcat e sigurisë nuk do të mund të qëndronin në këmbët e tyre, çdo gjë tjetër do të ishte e pakuptimtë".
Përgjatë katër muajve të fundit, fokusi është zhvendosur në ekonomi, tha ai, duke premtuar se "së shpejti do të shihen rezultatet e kësaj".
Zërat e lartë dhe të ulët
Një numër i figurave të fuqishme politike janë duke kontribuuar në përpjekjet e qeverisë.
Ish presidenti Hamid Karzai, së fundmi, në një intervistë për televizionin Tolo News, i bëri thirrje rinisë së vendit të "qëndrojë dhe të ndihmojë të rindërtojë shtetin".
Amrullah Saleh, ish shefi i spiunazhit të shtetit dhe lideri i lëvizjes politike Green Trend, përmes një postimi në Facebook sugjeroi se mënyra më e mirë për t'u përballur me këtë problem është të "rikthejë shpresën dhe vetëbesimin te popullata".
Zëdhënësi në Ministrinë për Refugjatë dhe Riatdhesim, Islamuddin Jorat, në një intervistë me Tolo News, nënvizoi pasojat e humbjes së një gjenerate me mendje të ndritur të cilën e shteti e ka kultivuar që nga rënia e talibanëve.
"Në mesin e migrantëve ka edhe të tillë me shkollim të lartë, disa edhe me doktoratura, dhe këta persona të ri do të mund t'i shërbenin vendit", tha Jorat.
Në mbështetje të fushatës së qeverisë, një lëvizje ka dalë në pah, duke u përpjekur t'ua mbush mendjen afganëve që të mos largohen.
Pjesëtarët e lëvizjes që funksionon vetëm në rrjetin Twitter, e quajtur Afganistani ka nevojë për ju, janë duke postuar fotografi të tyre me parulla në të cilat bëhet thirrje të qëndrohet në Afganistan.
Modaser Islami, një aktivist dhe anëtar i Shoqatës së Afganistanit për Rininë Myslimane, thotë se organizata është duke punuar për ta mbajtur rininë në shkolla dhe universitete, dhe të gjejë punë të sigurt për të diplomuarit.
"Kemi siguruar marrëveshje disa universitete për të ulur tarifat", thotë ai.
"Në gjithashtu po punojmë me agjencitë e rekrutimeve në mënyrë që të pranojnë të punësojnë rininë. Duke bërë një gjë të tillë, jemi duke u munduar të ndalojmë rininë që të shkojë jashtë dhe të mos përballet me rreziqet e migrimit", thotë Islami.