Ndërlidhjet

Ndryshimet tatimore shtrenjtuan shportën e konsumatorit


Ilustrim
Ilustrim

Shporta e konsumatorit është shtrenjtuar në Kosovë që nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri mbi Tatimin Mbi Vlerën e shtuar, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Me ndryshimet që janë bërë, 90 për qind e produkteve, sipas tyre janë shtrenjtuar për 2 për qind, derisa kanë shënuar rënie vetëm 10 për qind e produkteve.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke pasur parasysh që në normën e reduktuar kanë hyrë shumë më pak produkte sesa në normën e rritur, lë të kuptosh që qytetari po paguan më shtrenjtë për shportën e tij.

“Nga aspekti real i buxhetit familjar mund të themi që individi, familja, shkon në minus, arsyet janë të shumta. Nëse i kemi 100 artikuj, 8 deri në 12 artikuj mund të hyjnë në lirim prej 16 në 8, kurse pjesa tjetër, 90 për qind e artikujve tjerë iu është ngritur vlera për 2 për qind dhe kjo vlen edhe për ato familje që kanë të ardhura të ulëta, pasi që ata blejnë edhe produkte me normë të ngritur të TVSH-së”, shton Tahiri.

Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, që nga fillimi i këtij muaji përcakton dy norma të TVSH-së, si norma standarde e TVSH-së 18 për qind, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8 për qind.

Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.

Me pakon e re fiskale, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kishte theksuar se qytetarët e Kosovës të cilët kanë të ardhura të vogla dhe të mesme do të kenë kosto më të lirë të jetesës, derisa kostoja e jetesës do të rritet për qytetarët që kanë të ardhura më të larta.

Milaim Sefa një qytetar nga Prishtina, i cili thotë se të ardhurat e tij mujore nuk janë më shumë se 300 euro në muaj, nuk ka vërejtur ndonjë ulje të çmimeve që nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

“Jo unë për vete nuk kam vërejtur asnjë ndryshim. Unë i kam vizituar marketet, kam blerë gjëra, por nuk kam parë që ka pasur zbritje”, shprehet ai.

Edhe Samir Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çdo familje që ka të ardhura mujore mbi 350 euro do të paguajë më shumë me të njëjtat para që ka pasur më herët.

“Nëse analizojmë efektet te konsumatori i fundit, unë mendoj se një pjesë shumë e vogël përfton nga përshkallëzimi i TVSH-së, përderisa një pjesë shumë e madhe do të ngarkohet me vlerë shtesë. Çka do të thotë se që 8 për qind e disa produkteve bazë janë liruar, por shumica e të tjerave mbi 90 për qind janë shtrenjtuar për 2 për qind”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ekspertët e ekonomisë dhe organizatat ekonomike në vend vazhdimisht po kërkojnë nga autoritetet e Kosovës që të zgjerojnë listën e produkteve më normë të reduktuar.

Në Ligjin e ri Mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është paraparë edhe një listë e kufizuar e artikujve që mund t’i nënshtrohen normës së ulur të TVSH-së.

Ministri i Financave, sipas këtij ligji mund të nxjerr akt nënligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar.

Disa nga produktet që me këtë akt nënligjor do të mund të hynin në normën e reduktuar të TVSH-së janë patatet dhe produktet e patateve, mishi, pemët dhe produktet e pemëve, pijet jo alkoolike, furnizimi me ujë të ambalazhuar dhe disa produkte të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG