Jo vetëm partitë politike, por edhe analistët dhe shoqëria civile në Kosovë, po paraqiten me pikëpamje të ndara, nëse marrëveshja e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe krijon ndarje etnike dhe nivel të tretë të pushtetit.
Për një pjesë të shoqërisë civile, delegimi i disa prej kompetencave nga komunat më shumicë serbe, që gjithsej janë 10 sish, tek Asociacioni paraqet një fakt se po krijohet një nivel i tretë i pushtetit.
Por, për publicistin Halil Matoshi, krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse nuk ishte zgjidhje ideale, ishte më e mira e pranueshme për aktualitetin politik në Kosovë.
Sipas tij, marrëveshja është kushtetuese, ngase ajo nuk cenon kushtetutshmërinë e as integritetin dhe sovranitetin e vendit. Edhe në lidhje me kompetencat e Asociacionit, Matoshi beson se marrëveshja garanton një autonomi kulturore, por nuk ka kompetenca ekzekutive.
"Nuk ka kompetenca ekzekutive, por vetëm konsultative dhe në raport me institucionet qendrore është një ndërmjetës për t'u kujdesur eventualisht rreth cenimit të të drejtave të qytetarëve serbë. Mund të them se kjo është autonomi kulturore dhe personale dhe jo edhe territoriale, sepse nuk ka kufij të definuar qartë. Së paku ato nuk përmenden në marrëveshje", ka thënë Matoshi.
Pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, Instituti Demokratik i Kosovës doli me një deklaratë përmes së cilës konstatonte se Asociacioni i Komunave Serbe nuk është një Organizatë Joqeveritare, siç kishte paralajmëruar Qeveria e Kosovës, por një nivel i tretë i pushtetit.
Në deklaratë thuhej se asociacionit, me marrëveshje, i është siguruar mbikëqyrje e plotë në arsim, në shëndetësi, në zhvillim ekonomik lokal, pastaj koordinim të planifikimit urban/rural si dhe i është lejuar delegimi i kompetencave nga niveli qendror.
Përveç kompetencave që, sipas KDI-së, tregojnë se Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, Albert Krasniqi nga ky Institut thotë se marrëveshja nuk është në harmoni as me parimet e shumë-etnicitetit, mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
"Një prej shqetësimeve tona më të thella është se ky Asociacion do të jetë një-etnik dhe të gjitha parimet që Kushtetuta e Kosovës i parasheh për shumë-etnicitetin në Kosovë, do të jenë të kundërta. Pastaj, do të thellohen ndarjet etnike në Kosovë si dhe po krijohet dominimi i komunitetit serb ndaj komuniteteve tjera që jetojnë në këto komuna. Po ashtu, pengohet integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës, ngase me krijimin e këtij Asociacioni, integrimi do të jetë i pamundur", ka theksuar Krasniqi.
Marrëveshja për Asociacionin / Bashkësinë e komunave serbe
Një problem tjetër që krijohet me Asociacionin Serb, sipas Albert Krasniqit, është krijimi i një asimetrie të kompetencave dhe ndarjes buxhetore, duke i dobësuar kompetencat e komunave që i kishin deri më tani.
"Po krijohet një asimetri e kompetencave dhe ndarjeve buxhetore e Asociacionit karshi komunave tjera, si dhe po dobësohen këto dhjetë komuna, si institucione të vetëqeverisjes, pasi që shumë nga kompetencat e tyre tani do t'i delegojnë tek Asociacioni. Po ashtu, për nivelin nacional do të jetë shumë e vështirë që të gjitha strategjitë dhe planet nacionale të mund t'i shtrijnë edhe në këto komuna, të cilat do të jenë pjesë e Asociacionit", ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, për Halil Matoshin, ngritja e shkallës së të drejtave për pakicat, nuk paraqet ndonjë cenim të integritetit dhe sovranitetit. Sidoqoftë, ai pret që me definimin e statutit të këtij Asociacioni dhe me interpretimin që më pas do të japë Gjykata Kushtetuese, do të shihet nëse marrëveshja e Brukselit ishte përfundimtare dhe si e tillë nuk do të diktojë nevojën e ndryshimeve kushtetuese.
"Nëse nuk paraqitet nevoja për ndryshime kushtetuese për ta akomoduar në sistemin politiko- juridik të shtetit Asociacionin, atëherë del me të vërtetë që ky Asociacion pa kompetenca ekzekutive e legjislative, pos që ofron autonomi të plotë kulturore, arsimore, në shëndetësi, në ambient dhe rregullim hapsinor, nuk ka fuqi tjera juridiko - politike", ka vlerësuar Matoshi.
Marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe parasheh krijimin e Asamblesë së Asociacionit. Kjo Asamble do të përbëhet nga këshilltarë të deleguar të kuvendeve komunale, duke e përjashtuar mundësinë që të ketë zgjedhje të lira për këtë trup.
Kurse statuti i Asociacionit, i cili mbetet të draftohet nuk mund të hyjë në fuqi pa miratimin e qeverisë së Kosovës dhe pa e dhënë dritën e gjelbër Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Palët janë marrë vesh që ky Asociacion komunikon me institucionet qendrore në Prishtinë, çka paraqet risi, pasi që tani do të ketë më pak komunikim të qeverisë me komunat serbe. Po ashtu, palët janë marrë vesh që vendimet e Asociacionit duhet të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës.