Ndërlidhjet

Rreth 200 institucione private shëndetësore, pa licencë


Ilustrim @Shutterstock
Ilustrim @Shutterstock

Në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, janë të licencuara rreth 1000 institucione private shëndetësore, përfshirë këtu kabinete, laboratorë, ordinanca, qendra për mjekësi familjare, qendra terapeutike, poliklinika dhe spitale.

Mirëpo, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, ka edhe të tilla që funksionojnë pa licencë.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit të Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë mënyrën e marrjes së licencës për një institucion privat shëndetësorë.

"Secili institucion shëndetësorë që aplikon për marrje të licencës, duhet plotësojë kushtet teknike të parapara me ligj, duke garantuar edhe personelin e licencuar shëndetësorë. Këto janë kushtet bazë për tu licencuar një institucion".

"Më pastaj, Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë që të bëjë monitorimin se si këto institucione kryejnë shërbimet. Në rast të denoncimeve, apo nëse haset në parregullsi, inspektorati shqipton gjobat e parapara me ligj".

Ardita Baraku, kryeinspektore në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në bazë të të dhënave nga tereni, rreth 200 institucione private shëndetësore në Kosovë operojnë pa licencë.

"Ne kemi një burim të të dhënave që mundohemi t'i identifikojmë ordinancat e palicencuara private, dhe ky fenomen tejkalon numrin 200 të ordinancave të pa licencuara private, të cilat tashmë jemi duke i inspektuar".

Zonja Baraku gjithashtu ka shtuar se inspektorati shëndetësor në vazhdimësi bën inspektime, dhe së fundmi inspektimet kanë mbyllur 11 institucione private shëndetësore.

"Kemi pasur një aksion ku janë inspektuar 16 ordinanca private dhe janë mbyllur 11 prej tyre. Aksionet e këtij lloji janë shpeshtuar vitin e fundit dhe po ndodhin çdo dy muaj, varësisht prej kapaciteteve tona dhe vërtetimit të ordinancave që dyshojmë se janë pa licencë".

"Këto aksione do të vazhdojnë dhe i ftojmë qytetarët që t'i licencojnë ordinancat që mos të jenë në kundërshtim me ligjin".

Ndërkaq, zoti Hoti shpjegon për llojet e gjobave që institucionet private shëndetësore marrin në rast të thyerjes së ligjit.

"Varësisht nga shkalla e shkeljes që ka bërë institucioni shëndetësor, varirojnë nga 500 euro, deri në 10 mijë euro, derisa dënimi që inspektorati shëndetësor ka të drejtë ta propozojë është marrja e licencës për ushtrim të veprimtarisë, vendim ky që me rekomandim të inspektoratit shëndetësor e ndërmerr bordi për licencim të institucioneve shëndetsore private".

Sidoqoftë, në Ministrinë e Shëndetësisë procesi i licencimit për institucionet private shëndetësore ka filluar në vitin 2006.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG