Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë dorëzuan të martën në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së miratimit të Amendamentit 24, me të cilin iu hap rruga themelimit të Gjykatës së Posaçme për krime lufte.
Kërkesa e opozitës, mëton që ta rrëzojë këtë amendament, ngase ai konsiderohet se është miratuar në kundërshtim me procedurat ligjore-kushtetuese.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se lënda e dorëzuar nga përfaqësuesit e opozitës në Gjykatën Kushtetuese, kundërshton aspektin procedural dhe përmbajtësor të votimit të amendamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës së Posaçme.
Opozita beson se amendamenti në përmbajtje është në kundërshtim me Kushtetutën, kurse kontestohet edhe vet procedura e miratimit të tij.
“Kontestimi ynë ka të bëj me kapitullin 1, 2, 4, 5, 7 dhe 12. Pra, janë një sërë kapitujsh me anë të cilave i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Nuk është kjo çështje që është gjykuar, mirëpo tash është rasti kur Gjykata Kushtetuese duhet të reflektoj dhe të nxjerr një aktgjykim në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Albulena Haxhiu.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka vlerësuar se Qeveria nuk e kishte respektuar vendimin e Kuvendit më 26 qershor, kur e kishte rrëzuar këtë amendament, kështu që kishte vendosur ta riprocedonte atë.
Me këtë riprocedim, sipas saj, janë bërë shkelje të procedurave pavarësisht miratimit të tij më 3 gusht.
“Nuk mund të them që ata deputetë kanë ndryshuar apo e kanë ndryshuar bindjen, por thjeshtë nga presionet e ndryshme e ndërruan edhe vendimin që u mor nga Kuvendi më 26 qershor, vendim i cili është dashtë të respektohej edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë Teuta Haxhiu.
Ndërkohë, deputetja e partisë Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë se me riprocedimin e amendamentit për Gjykatën Speciale në Kuvend është shkelur vullneti i deputetëve, dhe për këtë arsye, opozita ka vendosur që t’i drejtohet Kushtetueses.
“Është shkel vullneti i deputetëve dhe kjo na sjellë sot para Gjykatës Kushtetuese. Presim që të paktën këta gjyqtarë, të cilët e kanë dhënë edhe betimin, ta respektojnë Kushtetutën. Presim që kjo Gjykatë, konform ligjit, ta jap një përgjigje pozitive”, ka thënë Bajrami.
Amendamenti për Gjykatën e Posaçme është miratuar në seancën e 3 gushtit, pas riprocedimit të tij nga ana e qeverisë, ngaqë paraprakisht, më 26 qershor, ky amendament ishte rrëzuar nga Kuvendi në mungesë të votave të nevojshme.
Gjykata Kushtetuese është organi më i lartë që bën interpretimin e Kushtetutës. Përfaqësuesit e partive opozitare thanë se presin që Gjykata Kushtetuese të trajtojë kërkesën e tyre brenda afatit ligjor prej 60 ditësh.