Ndërlidhjet

Zvarritja e marrëveshjes për sigurimet, nuk e ndal dialogun Kosovë – Serbi


Autoritetet në Prishtinë kanë akuzuar Beogradin për mosgatishmërinë e treguar rreth zbatimit të marrëveshjes për polisat e sigurimeve, të arritur në dialogun e Brukselit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se marrëveshja ka qenë e planifikuar të nis së zbatuari nga 24 korriku.

Por, sipas tij, Brukseli e kishte njoftuar paraprakisht Qeverinë e Kosovës se Beogradi nuk ishte ende i gatshëm teknikisht që të fillojë me zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Kemi mos përmbushje të marrëveshjes nga ana e Serbisë. Do të thotë, Serbia nuk iu është përmbajtur afateve sipas të cilave nga sot do të fillonte përmbushja e marrëveshjes. Pra, nuk kemi të bëjmë me anulim apo suspendim të marrëveshjes, por bëhet fjalë për jo gatishmërinë e Serbisë ngase ajo duhet të punojë tutje që t’i përmbushë edhe disa obligime që i ka marrë me marrëveshje”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës ka deklaruar në vijim se marrëveshja nuk do të diskutohet më në Bruksel, pasi që ajo tashmë është e finalizuar.

Ai tha se pala nga Prishtina në bisedimet e Brukselit i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të bëj trysninë e nevojshme mbi Serbinë që marrëveshja të filloj së zbatuari.

Sidoqoftë, kryeministri Mustafa ka thënë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, me kërkesën e vazhdueshme të Prishtinës që marrëveshjet të mos zvarriten tutje, por të zbatohen.

“Dialogu do të vazhdojë, mirëpo çdo vazhdim i dialogut ndërlidhet me kërkesën tonë në Bruksel që të bëhet implementimi i marrëveshjeve ekzistuese. Këtë e kemi diskutuar edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe ata të SHBA-së të cilët fuqishëm na mbështesin në këtë pjesë se zbatimi është i domosdoshëm”, ka deklaruar Mustafa.

Pala nga Kosova është ankuar në vazhdimësi për mos zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, apo edhe zbatimin e marrëveshjeve jo sipas parimeve të dakorduara në dialogun e Brukselit.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se duhet të bëhen disa përmirësime nga pala serbe edhe në lidhje me marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Qytetarët e Kosovës në rast se lëvizin në drejtim të Serbisë, detyrohen që tabelat e tyre të automjeteve me shenjat dhe simbolet e Kosovës t’i zëvendësojnë me tabela provuese që ua lëshojnë organet serbe në vendkalimet kufitare.

Një praktikë e tillë, sipas ministres Tahiri, duhet të ndërpritet.

“Siç e dini ne asnjëherë nuk kemi aplikuar tabelat “prova” për qytetarët e Serbisë dhe janë tre-katër vjet që Serbia vazhdon t’i përdorë këto tabela. Ne disa herë në takime te Brukselit kemi kërkuar që Serbia t’i heq ato tabela".

"Nëse nuk i heq, atëherë në një kohë të caktuar edhe ne do të marrim vendim që t’i vendosim tabelat “prova” për qytetarët e Serbisë. Mirëpo kjo nuk është temë që lidhet me marrëveshjen për polisat e sigurimeve, pasi që janë dy çështje të ndara”, ka thënë Tahiri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zhvillohet në nivelin politik dhe atë teknik. Qëllimi i këtij dialogu është thënë se është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në bisedime janë përfshirë tema që ndërlidhen me bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe tema në lidhje me funksionimin e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, ku Beogradi ndër vite ka ngritur struktura paralele që funksiononin jashtë sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG