Ndërlidhjet

Gjykata Speciale s’mund të themelohet pa ndryshimin e Kushtetutës


Nuk ka një zgjidhje alternative ligjore që do të mundësonte themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte pa miratimin e amandamentit kushtetues të propozuar nga qeveria, vlerësojnë analistët politik.

Sipas tyre, deklaratat qoftë të opozitës apo deputetëve që nuk e mbështesin këtë gjykatë, se mund të ketë një rrugë alternative për themelimin e dhomave të veçanta pa amandamentin kushtetues, janë të pamundura të realizohen.

Kjo për faktin që Ligji për dhomat e veçanta i hartuar në negociatat ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës dikton nevojën e ndryshimeve kushtetuese, ngaqë Kosova do të detyrohet që të delegojë një pjesë të sovranitetit të saj nga fusha e drejtësisë tek faktori ndërkombëtar.

Fisnik Korenica nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk i siguron votat e nevojshme, atëherë nuk ka rrugë tjetër për themelimin e saj.

Sipas tij, mungesa e votave nënkupton refuzimin që Kosova do t’i bëjë zbatimit të marrëveshjes me Bashkimin Evropian, të ratifikuar nga Kuvendi vitin e kaluar në bazë të letërkëmbimit mes presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

“Ka një interpretim, sipas të cilit, themelimi i Speciales mund të bëhet edhe pa amandamentin kushtetues duke u bazuar në letërkëmbimin mes presidentes Jahjaga dhe baroneshës Ashton, por megjithatë unë mendoj se një gjë e tillë nuk është e mundur, sepse në versionin aktual, projektligji i propozuar dhe modeli për dhomat e specializuara implikon parime të ndryshimeve kushtetuese”, ka theksuar Korenica.

Ndërkaq, analisti Belul Beqaj vlerëson se zgjidhjet alternative për Gjykatën Speciale do të ishin në konflikt me Kushtetutën dhe ligjin.

Kështu që në mes një zgjidhje ligjore që kalon përmes marrjes së vendimit në Kuvend për themelimin e Gjykatës Speciale dhe një zgjidhjeje politike, ai mbështet atë ligjore.

“Çdo zgjidhje që bëhet jashtë kushtetues mendoj se do ta rrezikonte më shumë stabilitetin sesa mundësia e gatishmërisë së subjekteve politike që më në fund ta bëjnë ndryshimin kushtetues, ngase Kushtetuta është shumë e ngushtë karshi kërkesave që po i shtron shoqëria kosovare për nevojat eminente që i ka jo vetëm ajo, por edhe bashkësia ndërkombëtare kur është në pyetje edhe formulimi i ri që ka të bëjë me Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Beqa për Radion Evropa e Lirë.

Zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar të martën se amandamenti për Gjykatën Speciale nuk do të procedohet në Kuvend përderisa nuk sigurohen votat e mjaftueshme për miratim.

Në seancën e 26 qershorit, ky amandament ishte rrëzuar nga deputetët, ku vendimtare ishin votat e një grupi të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që nuk e mbështetën atë.

Mirëpo, për Fisnik Korenicën kjo mund të jetë më shumë një lojë politike, pasi që ai nuk e beson që deputetët e PDK-së të cilët e refuzuan specialen paraqesin një pozicion tjetër karshi liderit të tyre, Hashim Thaçi.

“Aktualisht gjendemi në një lojë të vet PDK-së e cila shtiret se nuk po mund t’i siguron votat. Unë mendoj që është absurde të mendohet që deputetët të cilët votuan kundër speciales janë të padëgjueshmit e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”, ka thënë Korenica.

Në anën tjetër, Belul Beqaj beson se koha e lojërave politike nuk i shkon në favor PDK-së e as koalicionit qeverisës.

“Nëse dikush mendon të bëj lojë politike ai do ta dëmtonte vetveten. Të tillë, ndoshta individualisht ka, por nuk e besoj që ata të cilët janë përgjegjës dhe e kanë marrë një obligim t’i përmbushin disa detyrime shtetërore dhe disa kërkesa ndërkombëtare duhet në këtë moment të bëjnë lojë politike”, ka theksuar Beqaj.

Ndërkohë, Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, ka vlerësuar se procedimi i sërishëm i amandamentit kushtetues për Gjykatën Speciale në Kuvend, siç po e paralajmëron qeveria, paraqet trysni karshi deputetëve.

Sipas këtij Instituti, bazuar në përvojat e deritashme trysni të tilla kanë sjellë edhe deri te ndryshimi i qëndrimeve të disa deputetëve në lidhje me procese të ndryshme.

Themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte është një kërkesë e faktorit ndërkombëtar që doli si rezultat i raportit të Këshillit të Evropës ku u ngriten disa pretendime e supozime për krime lufte, të cilat dyshohet se janë kryer nga disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj disa civilëve serb.

Për këto pretendime, një task- forcë ndërkombëtare ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Megjithatë, për zbardhjen e këtyre pretendimeve, është vlerësuar se do të nevojitet të themelohen dhoma të veçanta të prokurorisë dhe gjykatave nën udhëheqjen ndërkombëtare për t’i trajtuar këto raste të dyshuara në një gjykatë speciale me seli jashtë Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG