Ndërlidhjet

Një strehë larg dhunës të talibanëve


Homayra dënes pranë trupit të gjymtuar të djalit të saj 8-vjeçar. E pashpresë, e mban atë në duart e veta, duke menduar për mjerimin, në të cilin ndodhen.

"Është i palëvizshëm dhe unë nuk kam si t’i ndihmoj", vajton e veja 27 -vjeçare që është e strehuar në kampin e refugjatëve jashtë Mazar-e Sharif, kryeqytet i Provincës Balkh, në veri të Afganistanit.

"I kam shpenzuar të gjitha paratë në medikamente për të, por tash nuk kam më”, shton ajo, teksa i dridhet zëri duke treguar fotografimet me rëntgen të djalit të saj të paralizuar, Omarit, në kohën kur ai kishte qenë i vogël dhe familja kishte qasje në përkujdesje shëndetësore.

Homayra dhe Omari janë në mesin e dhjetëra mijëra afganëve që janë larguar nga shtëpitë e tyre në provincat veriore të Afganistanit, të cilat u shndërruan në vatra lufte ndërmjet talibanëve dhe autoriteteve qeveritare për 13 vjet, që kur koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja i largoi nga pushteti.

Shumë të tjerë, sikurse Homayra, kanë gjetur strehim në Provincën Balkh, që njihet si oaza e fundit e paqes në rajon.

Numrat në rritje të refugjatëve

Guvernatori Atta Mohammad Noor, ish-ushtarak i fuqishëm, ka udhëhequr Balkh-un për 12 vjet, duke e bërë provincën një nga më të qëndrueshmet dhe prosperueset në vend.

Duke pasur parasysh lokacionin strategjik, stabiliteti i Balkhit ka qenë fokus edhe i forcave të NATO-s.

Numër i madh i njerëzve të zhvendosur mbesin të paregjistruar, por zyrtarët e migracionit thonë se numri i tyre është rreth 20 mijë.

Më shumë se 300 familje gjatë muajve të fundit e kanë bërë këtë vend shtëpinë e tyre të përkohshme.

Homayra dhe familja e saj u larguan nga shtëpia e tyre në Provincën Faryab, në kufi me Turkmenistanin, një muaj më parë.

Bashkëshorti i saj u qëllua rastësisht gjatë luftimeve ndërmjet talibanëve dhe forcave qeveritare.

“Babai iu vra”, thotë Homayra dhe tregon: "Shumë njerëz janë vrarë në zonën tonë. Shumë shtëpi janë shkatërruar nga luftimet”.

Ajo jeton në kampin e personave të zhvendosur edhe me vjehrrën e vet, Faizia, 60-vjeçare.

"Djali im dhe burri janë vrarë nga talibanët”, thotë Faizia, e cila nuk sheh me njërin sy, për shkak të një plage. "Jemi të pastrehë. Nuk kemi as strehim as ushqim për të ngrënë. Krejt çfarë kemi janë këto tenda”, shton ajo.

Kushte të mjerueshme

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara dhe Departamenti Krahinor për Riatdhesimin e Refugjatëve kanë filluar shpërndarjen e ndihmave humanitare për qindra familje në Balkh.

Banorët e kampit thonë se qeveria e krahinës ka ndarë tokën për strehimin e tyre të përkohshëm, si dhe herë pas here u siguron thasë me grurë.

Por, shumë nga ta gjithashtu thonë se autoritetet lokale dhe organizatat ndërkombëtare humanitare duhet të bëjnë më shumë.

Banorëve të kampit iu duhet të ecin një orë që të furnizohen me ujë, nga një pus në një fshat të afërt. Disa prej tyre punojnë në ndërtimtari, duke vendosur tjegulla që nga mëngjesi deri në darkë.

Shumë të tjerë kërkojnë lëmoshë në rrugët e pluhurosura të Mazar-e Sharifit.
Mohammad Asef, një burrë i moshës së mesme, thotë se u largua nga krahina Pol, që ndodhet në lindje të vendit, para dy muajsh pasi një granatë kishte rënë mbi shtëpinë e tij, duke i vrarë gruan dhe fëmijën.

I paaftë të punojë për shkak të plagëve, Asef thotë se ai dhe pjesa tjetër e banorëve të kampit nuk do të mbijetojnë nëse nuk marrin ndihma shtesë.

"Nuk kemi ujë apo rrymë. E vetmja strehë janë këto tenda që i shihni. Ne duam të kemi shtëpi”, thotë Asef.

Për shumë të zhvendosur në Afganistan, jetesa me kushte tejet të rënda është çmimi që duhet të paguajnë për të jetuar një jetë relativisht të sigurt në Balkh.

Por, dhuna i ka përcjellë disa migrantë…

"Jam aq i frikësuar sa nuk mund të fle. Kam ikur, sepse do të më vrisnin”, thotë Mohammad Yusuf, ish-ushtar në Provincën e Kunduzit, një nga krahinat më të sulmuara në juglindje. "[Por] për t’u hakmarrë, talibanët vijnë deri këtu” .

Dhuna në rritje

Luftëtarët talibanë kanë kryer një ofensivë në veri të Afganistanit, që ka qenë rajon relativisht stabil, në krahasim me jugun dhe lindjen e vendit. Por tani, betejat janë duke u zhvilluar në tërë vendin, me forcat qeveritare afgane që po mundohen të mposhtin militantët.

As Balkh nuk është tërësisht i mbrojtur nga dhuna.

Nëpër disa krahina, talibanët janë duke zhvilluar luftë me ushtarët afganë dhe milicisë pro-qeveritare, duke i shtyrë banorët të shkojnë në Mazar-e Sharif dhe zonat përreth.

"Sa shumë njerëz na i kanë vrarë”, thotë Agha Jan, një fermer i moshuar nga distrikti i Chimtalit, i cili u zhvendos në Mazar-e Sharif tre muaj më parë. "Kemi qenë të detyruar të largohemi nga vendi ynë. Tetëmbëdhjetë njerëz u vranë nga talibanët vetëm në fshatin tonë”, shton ai.

Jan thotë se ata nuk ishin cak vetëm i militantëve, por edhe i milicisë pro-qeveritare.

"Përgjatë ditës ishim të sulmuar nga talibanët. Gjatë natës radhën e kishte milicia” , thotë ai.

Autoritetet e Afganistanit po bëjnë përpjekje t’i largojnë talibanët dhe tjera forca të armatosura anti-qeveritare, 13 vjet pasi u bë një plan i mbështetur nga OKB-ja për t’i mposhtur talibanët.

Këta “armiq të Afganistanit”, siç i quajnë autoritetet e Kabulit, vazhdojnë sulmet e tyre vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe ushtarëve.

Siguria dhe forcat e policisë afgane, janë ende në numër të pakët, dhe puna e tyre është bërë edhe më e vështirë që nga tërheqja e trupave amerikane dhe tjera trupa ndërkombëtare, në fund të vitit të kaluar.

Abdul Hamid, një bari nga Chahar Bolak, që tash jeton në Balkh, ka lënë familjen mbrapa pasi ishte vënë në shënjestër nga talibanët.

"Nuk mund të kthehem në fshatin tim”, thotë ai: "E kam familjen atje, por është shumë rrezik të shkoj".

Përgatit: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG