Ndërlidhjet

AI: Abuzim i “turpshëm” ndaj migrantëve në Ballkan


Migrantët nga Siria në Beograd
Migrantët nga Siria në Beograd

Organizata Amnesty International i ka akuzuar vendet e Ballkanit për keqtrajtim të migrantëve, që kalojnë nëpër territoret e tyre, në rrugë për në vendet e Bashkimit Evropian, duke thënë se njerëzit që largohen nga luftërat, në mënyrë “të turpshme” janë lënë pa kujdes.

“Mijëra refugjatë, azilkërkues dhe imigrantë, përfshirë fëmijë, duke bërë udhëtime të rrezikshme nëpër Ballkan, po vuajnë abuzim të dhunshëm dhe zhvatje nga ana e autoriteteve dhe bandave kriminale”, thuhet në raportin më të ri të grupit për të drejtat e njeriut, Amnesty International.

"Migrantët që po largohen nga lufta, varfëria dhe ndjekja, janë lënë pa kujdes në mënyrë të “turpshme” nga sistemi i dështuar i Bashkimit Evropian për azil dhe imigrim, që i ka lënë ata të bllokuar pa mbrojtje në Serbi dhe Maqedoni”, tha Amnesty International me seli në Londër.

“Derisa një numër në rritje i refugjatëve të ndjeshëm, azilkërkuesve dhe imigrantëve po bllokohen në tokën e askujt në Ballkan, presioni ndaj Serbisë dhe Maqedonisë po rritet”, tha Gauri van Gulik, zëvendësdrejtor i AI-së për Evropë dhe Azi Qendrore.

Shumë migrantë i kanë thënë organizatës Amnesty International se ata ishin detyruar të paguajnë ryshfet deri në 100 euro për policinë, derisa kanë kaluar nëpër Ballkan.

Muajin e kaluar, policia e Serbisë i ka arrestuar 29 oficerë të policisë dhe 9 zyrtarë të doganave të dyshuar për korrupsion dhe keqtrajtim të pozitës, duke i akuzuar ata se kanë marrë mito, për t’i lejuar imigrantët që të kalojnë ilegalisht nëpër kufirin e tyre për në Hungari.

Por, megjithë këto përpjekje, “Serbia dhe Maqedonia duhet të bëjnë më tepër për respektimin e të drejtave të imigrantëve dhe refugjatëve”, tha van Gulik nga Amnesty International.

Kjo organizatë konsideron se “është e pamundshme të ndahen shkeljet e të drejtave të njeriut atje, nga presioni më i gjërë i rrjedhjes së imigrantëve dhe refugjatëve në dhe nëpër Bashkimin Evropian, dhe në sistemin e dështuar të BE-së për imigrantë”.

Numri i imigrantëve dhe refugjatëve nga Siria, Afganistani, Egjipti, Eritrea, Iraku, Nideria, Somalia, Sudani dhe Tunizia, duke udhëtuar nëppër tokën e Ballkanit në rrugën e tyre për në BE, është rritur në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit.

Numri i njerëzve që janë zënë duke kaluar kufirin ndërmjet Serbisë e Hungarisë, prej vitit 2010 është rritur shum – prej 2,370 në 60,602, ka njoftuar AI.

Rruga e tyre kalon nëpër deti nga Turqia në Greqi e pastaj në tokë nëpër Maqedoni dhe Serbi, kah Hungaria, që është vend anëtar i BE-së. Kjo rrugë është shfrytëzuar shumë, derisa konsiderohet më pak vdekjeprurëse se lundrimi nëpër Mesdheun nga Libia.

Më se 1,800 vetë janë vrarë gjatë përpjekjes për të kaluar nëpër Mesdhe, vetëm këtë vit, sipas Kombeve të Bashkuara.

Popullariteti në rritje i rrugës ballkanike ka ndikuar që Parlamenti i Hungarisë e ka miratuar legjislacionin për ashpërsimin e rregullave të azilit dhe duke e autorizuar ndërtimin e murit përgjatë kufirit jugor të këtij vendi me Serbinë, në përpjekje për ndaljen e imigrantëve ilegalë.

Raporti i AI-së është i bazuar në katër misione kërkimore në Serbi, Hungari, Greqi dhe Maqedoni, ndërmjet korrikut të vitit 2014 dhe marsit të vitit 2015, dhe në intervistat me më se 100 refugjatë dhe imigrantë.

Imigrantët kanë raportuar se janë shtyrë, janë rrahur dhe goditur nga policia serbe afër kufirit me Hungarinë dhe një refugjatë afgan tha se “një grua, e cila mishte në mjuaujin e psetë të shtatzënisë, ishte rrahur”.

Shumë imigrantë raportohet se janë “burgosur arbitrarisht nga autoritetet” për tejkalimin e afatit të zgjatur, pa asnjë mbrojtje juridike ose mundësi për të kërkuar azil.

Pos kësaj, refugjatët dhe imigrantët u ishin nënshtruar edhe shfrytëzimit financiar nga trafikantët dhe sulmet e grupeve kriminale, thuhet në raport.

Azilkërkimi i suksesshëm në Serbi dhe Maqedoni është shumë i rrallë, paasi vetëm një person ka marrë status të refugjatit në Serbi në vitin 2014 dhe 10 në Maqedoni, thotë AI.

Të dekurajuar nga progresi i ngadalshëm në procesimin e kërkesave të tyre, shumica e azilkërrkuesve e vazhdojnë rrugën e tyre në Hungari, ku ata ballafaqohen me shkelje të mëtejshme të të drejtave të tyre, thuhet në raportin e fundit të organizatës Amnesty International.

“Ata që zbulohen duke hyrë në Hungari në mënyrë të parregullt arrestohen në mënyrë rutinore, shpeshherë në kushte degraduese dhe të mbipopulluara, ose të keqtrajtuar nga policia”, thekson raporti, dhe kërkon që të “rishqyrtohen më gjërësisht politikat e imigrimit dhe azilit në BE”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG